Nisma Vullnetare Studentore në bashkëpunim me Degën e Kulturës dhe të Botimeve pranë Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, nxitën dhe organizuan nismën studentore të konceptuar sipas motos: “Jam i ngujuar por jo i harruar”.
Kjo iniciativë e studentëve të Universitetit tonë konsistonte në mbledhjen e ndihmave për familjet e ngujuara. Aktiviteti u mendua të realizohej në kuadër të Ditës Universale të Fëmijëve.
Në këtë kontekst anëtarët e Nismës Vullnetare Studentore vendosën në çdo fakultet të Universitetit, si dhe në Bibliotekën Universitare kuti, në të cilat studentët dhuruan materiale shkollore, lodra, veshmbathje dhe sende të tjera në ndihmë fëmijëve të ngujuar. Pas publikimit në rrjetet sociale të nismës, studentët u nxitën t’i bashkohen kësaj iniciative. Qendra e Këshillimit dhe Shërbimeve Psikologjike (QKSHP), si dhe Shoqata “Përpjekja” dhanë kontributin e tyre. Përveç materialeve të dhuruara për fëmijët e ngujuar, u grumbulluan mjaft ndihma edhe për familjarët e tyre. Ra në sy interesi i studentëve për të kontribuar për këtë kategori fëmijësh të ngujuar. U mblodhën mjaft libra, fletore, lapsa, lodra, veshmbathje, ushqime, detergjente etj.
Kjo nismë u vlerësua tepër e frytshme dhe ishte një dëshmi solidariteti me shumë familje dhe fëmijë në nevojë.
- 2244 lexime