Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Shkencave Shoqërore, Departamenti i Gjuhësisë organizuan konferencën shkencore ndërkombëtare: “TOMOR OSMANI: NJË JETË ME ALBANOLOGJINË”.
Veprimtaria u zhvillua ditën e mërkurë, më 27 janar 2016, ora 10:00, në sallën e konferencave (A3) tek Rektorati i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Në këtë konferencë vepra e prof. dr. Tomor Osmanit në fushën e gjuhësisë u vlerësua si një kontribut i çmuar për shkencën tonë albanologjike. Puna e madhe e këtij pedagogu dhe studiuesi në trajtimin e çështjeve më me rëndësi të historisë së gjuhësisë shqiptare mbështetet në fakte dhe dokumente konkrete duke na sjellë një material me mjaft vlera për historinë dhe lashtësinë, jo vetëm të gjuhës, por edhe të kombit tonë. Parë në këtë kontekst, prof. dr. Tomor Osmani është dhe do të mbetet një figurë e shquar e gjuhësisë sonë.
Prof. dr. Tomor Osmani lindi në Shkodër në vitin 1935, ku kreu dhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Universitetin e Tiranës (1958). Shërbeu disa vjet në arsimin e mesëm. Që nga viti 1963 është pedagog në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Nga viti 1995 ishte drejtor i sektorit të albanologjisë që më vonë u bë Instituti i Albanologjisë pranë Fakultetit të Shkencave Shoqërore. Në vitet 2005-2007 ishte përgjegjës i Departamentit të Gjuhësisë.
Ka botuar studimet: “Histori e alfabetit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 1987); “Udha e shkronjave shqipe” (Shkodër, 1999; botim i dytë i plotësuar Tiranë, 2008); “Komisia letrare shqipe e Shkodrës” (Shkodër, 2004); “Tradita dhe e sotmja në vështrimin gjuhësor” I, II, III, IV; “Shêjzat për gjuhën shqipe” (Shkodër, 2013) është bashkautor në veprat “Tabu dhe eufemizma” (Shkodër, 2000); “Universiteti i Shkodrës ndër vite” (Shkodër, 2002); “Universiteti i Shkodrës në 50-vjetorin e tij” (Shkodër, 2007); “Universiteti i Shkodrës në 100-vjetorin e Pavarësisë” (Shkodër, 2012) dhe në disa tekste për gjuhën shqipe. Është autor i 400 artikujve në shtypin shkencor e periodik, si dhe pjesëmarrës në 150 veprimtari dhe konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Kryeredaktor i “Buletin shkencor” (Seria e shkencave shoqërore) të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (nga viti 2000-2014). Ka qenë delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, “Mirënjohja e Qytetit” të Shkodrës, si dhe “Profesor Emeritus” i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Konferenca i vijoi punimet sipas këtij programi:
Hapja e konferencës
Prof. as. dr. Rrezarta Draçini – Drejtore e Departamentit të Gjuhësisë
Seanca I
Drejtuan seancën: Prof.dr. Artan Haxhi, Akad. Rexhep Ismajli, Akad. Kolec Topalli, Prof.dr. Shezai Rrokaj.
1. Prof.dr. Artan Haxhi, prof.as.dr. Mimoza Priku, prof.dr. Njazi Kazazi, prof.as.dr. Rrezarta Draçini (Shkodër): “T.Osmani: profili shkencor i një albanologu”
2. Akad. Rexhep Ismajli (Prishtinë): “T.Osmani: gjuhëtar”
3. Prof.dr. Shezai Rrokaj(Tiranë): “T.Osmani, një vlerë e shtuar e veprës së KLSh-së"
4. Akad. Kolec Topalli (Tiranë): “Një jetë për albanologjinë ”
5. Prof.dr. Seit Mansaku (Tiranë): “Figura e Martin Camajt në veprën e prof.dr. T.Osmanit."
6. Prof.dr. Valter Memishaj (Tiranë): “Kontributi shkencor i prof. T.Osmani në faqet e revistës “Studime filologjike”
7. Prof. dr. Bardhyl Demiraj (Gjermani): “Don Engjell Radoja dhe vendi i tij në historinë e kulturës së shkrimit shqip”
8. Prof. dr. Xhevat Lloshi (Tiranë): “Udha e gjatë e një gjuhëtari të përkushtuar”
9. Prof. dr. Aljula Jubani (Tiranë): “Prof.Tomor Osmani, gjurmuesi i përkushtuar i historikut të shkrimit të shqipes”
10. Prof. dr. Shefkije Islami (Prishtinë): “Ndihmesa e prof. Tomor Osmani kushtuar tabuve dhe eufemizmave”
11. Prof.dr. Bardh Rugova, prof.dr. Lindita Rugova (Prishtinë): “Kontributi i prof.dr. T.Osmanit për studimin e shqipes letrare të shekujve XIX-XX.”
Seanca II
Drejtuan seancën: Prof.dr. Emil Lafe, Prof.dr.Imri Badallej, Prof.dr. Anila Omari, Prof.as.dr. Mimoza Priku.
1. Prof.dr. Emil Lafe (Tiranë): “Shënime për problemet dhe gjuhën e Buletinit shkencor të ILP të Shkodrës në vitet '60”
2. Prof.dr. Imri Badallaj (Prishtinë): “Vrojtimet e profesor Tomorit mbi përdorimin e alfabeteve për shkrimin e shqipes ndër italo-arbëreshët”
3. Prof.dr. Anila Omari (Tiranë): “Figura e Luigj Gurakuqit në studimet e prof. Tomor Osmanit”
4. Prof.dr. Mimoza Kore (Tiranë): “Përpjekjet e Rilindësve për alfabetin e gjuhës sonë, në veprën e prof. Tomor Osmanit”
5. Prof.dr. Asllan Hamiti (Maqedoni): “Ndihmesa e prof. Tomor Osmanit për shqipen standarde "
6. Prof.dr. Rahman Pacarizi (Prishtinë): "Studimi mbi "Shejzat" dhe gjithëpërfshirja linguistike e Tomor Osmani "
7. Prof.dr. Artur Lamaj (Gjirokastër): “Rreth disa vështrimeve etno-onomastike të gjuhëtarit Tomor Osmani”
8. Prof.dr. Gjilda Alimhill i(Itali): “ Tomor Osmani: profesori, miku dhe kolegu”
9. Ajtene Abazi (Maqedoni): “Udha e shkronjave shqipe” e prof. Tomor Osmanit pasqyra më e plotë e historisë së shkronjave shqipe”
10. Ismet Osmani (Maqedoni): “Ndihmesa e prof. Tomor Osmanit për gramatikën e shqipes”
Në fund të veprimtarisë për të pranishmit u shfaq një dokumentar për jetën dhe veprimtarinë shkencore të prof. dr. Tomor Osmanit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, përmes emocionesh, prof. Osmani u shpreh: “Është një nder i veçantë për mua organizimi i kësaj veprimtarie për vlerësimin e punës sime në këtë institucion për më shumë se gjysmë shekulli. Falënderoj sinqerisht dhe me gjithë zemër organizatorët: Rektorin prof. dr. Artan Haxhi, Dekanen e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, prof. Mimoza Priku, drejtoren e Departamentit të Gjuhësisë, prof. as. dr. Rrezarta Draçini për nismën e tyre bujare, dashamirëse dhe fisnike, kumtuesit nga Shkodra, Tirana, Prishtina, Gjermania, Gjirokastra dhe Shkupi për ato fjalë zemre, aq të bukura dhe vlerësuese në kumtesat e tyre, për respektin e veçantë, duke ardhur në Shkodër në këto ditë të ftohta jo si dëgjues, por me dëshirën e madhe të tyre për të çmuar veprimtarinë time.
Ju faleminderit me shumë dashamirësi. Një përshëndetje ju takon edhe juve pjesëmarrësve me praninë tuaj në këtë veprimtari jubilare: kolegë, miq, shokë dhe studentë. Të gjithëve u dëshiroj: Shëndet, gëzime dhe mbarësi ju dhe familjeve tuaja”.
- 5031 lexime