- Shqip
- English
Duke marrë shkas nga kronika televizive e transmetuar nga televizioni “Star Plus”, më datë 11 janar 2016, me titull: “Ekonomiku, lëshon lista skandaloze të notave”, bëjmë me dije për opinionin publik se ky lajm është ndërtuar mbi një fakt të stisur.
Lista e notave e publikuar përmes kësaj kronike është e rreme, sepse ajo nuk është lëshuar nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Kjo gjë provohet lehtësisht prej faktit se kjo listë nuk ka asnjë element që duhet të ketë një dokument shtetëror zyrtar, siç janë: data, numri i protokollit, vula, firma e titullarit të institucionit, firma e sekretares mësimore dhe për më tepër është printuar në një fletë diplome suplement, e cila nuk përdoret në asnjë moment si fletë notash. Kemi të bëjmë me një rast të keqpërdorimit të një flete diplome suplement, e cila është fotokopjuar me keqdashje si një fletë pa fund dhe pa krye.
Publikimi i lajmeve të tilla të rreme e denigruese nuk është në koherencë me misionin fisnik të mediave. Shprehim keqardhjen tonë për këtë informacion të pavërtetë, në të njëjtën kohë solidarizohemi me indinjatën e studentëve tanë dhe të prindërve të tyre, ndaj kësaj kronike televizive dashakeqe, e cila trillon për të ndikuar negativisht tek opinioni publik në dëm të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
- 2285 lexime