Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me Degën e Gazetarisë në USH ishin organizatorë të shfaqjes së filmit dokumentar hungarez: “1989”. Kjo veprimtari u organizua në sallën e konferencave të Bibliotekës Shkencore Universitare.
Koordinatori i Institutit Shqiptar të Medias, Agim Doksani, bëri një përshkrim të shkurtër të këtij filmi për studentët e gazetarisë. Ai vlerësoi tematikën e filmit dhe teknikat e realizimit të tij.
“1989” është një dramë politike për rënien e Perdes së Hekurt. Një teknokrat i ri dhe i panjohur, Miklós Neméth, bëhet kryeministri i ri i Hungarisë. Ai duhet të shpëtojë ekonominë e dërrmuar të vendit dhe menjëherë vendos të heqë nga buxheti i shtetit aparatin masiv dhe të kushtueshëm të kontrollit të kufijve. Shumë shpejt do ta kuptojë që ky vendim e bën armik me kundërshtarë të fuqishëm dhe komunistë fanatikë. Në këtë kohë, një çift i ri nga Gjermania Lindore nxitet nga zërat që kufiri hungarez është i hapur në pjesën me Austrinë për disa ditë, për një ekskursion në të gjithë Evropën. Ashtu si mijëra gjermanë lindorë të tjerë, ata vendosin ta provojnë, por ngecin në lojën e pushtetit politik që luhet prapa dyerve të mbyllura në bllokun lindor. Burri i ri qëllohet për vdekje në kufi, një ngjarje tragjike që paradoksalisht do të shpejtojë vendimin përfundimtar të Nemeth për të hapur kufijtë dhe menjëherë pas kësaj do të bjerë dhe Muri i Berlinit.
Ky dokumentar nga Anders Østergaard shfaq përsëri ngjarjet e 1989 dhe e shpie publikun në dhomat sekrete të mbledhjeve nëpërmjet një miks “dëshmish”, materiale arkivash, dhe dialogjesh të rikonstruktuara të figurave politike të kohës.
Ky film u ndoq me interes nga studentët e Fakultetit të Shkencave Shoqërore.
- 2077 lexime