Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me Institutin për Demokraci Media dhe Kulturë dhe Konrad Adenauer Stiftung, organizuan në Bibliotekën Shkencore Universitare shfaqjen e filmit dokumentar : “Kujtesa e një vendi që harroi të harronte” .
Në prezantimin e këtij filmi znj. Jonida Godole, përfaqësuese e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë, u shpreh se ky dokumentar është realizuar nga një grup studentësh të gazetarisë së Universitetit të Tiranës dhe është një reflektim për të shkuarën diktatoriale.
Veprimtaria zhvillohet në kuadër të projektit të titulluar “Memorie e gjallë në arte dhe multimedia”. Ky projektim filmi ka një rëndësi shumë të veçantë dhe është fryt i një bashkëpunimi të suksesshëm theksoi në ndërhyrjen e saj znj. Anja Schime përfaqësuese e Konrad Adenauer Stiftung. Tea Çuni, përgjegjëse e muzeut “Vendi i dëshmisë dhe i kujtesës” në Shkodër, falënderoi veçanërisht studentët për pjesëmarrjen e gjerë në këtë veprimtari.
Në emër të ish-përndjekurve politikë diskutuan Ndrekë Palushani dhe Gjeto Vocaj. Ky i fundit solli dëshminë e përvojës së tij në diktaturë.
Dokumentari ishte konceptuar në formë intervistash me të rinjtë për elemente të së shkuarës diktatoriale dhe ishte realizuar nga: Erina Laska, Fjona Meça, Juna Çuçka, Preveza Devishllari, Rashela Shehu. Koncepti dhe drejtimi nga Jonila Godole e Holta Shupo.
Pas shfaqjes së filmit u zhvilluan diskutime rreth filmit dokumentar, si dhe rreth tematikës së dialogut të së shkuarës dhe të ardhmes.
- 2076 lexime