Agjencia e Kërkimit , Teknologjisë dhe Inovacionit –AKTI në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Bashkinë e Shkodrës organizuan në kuadër të projektit "EURAXESS” aktivitetin "Euraxess Bus Roadshow".
Kjo veprimtari u zhvillua më datë 15 tetor 2015, nga ora 09:00 deri në orën 16:00, në sheshin përpara Bashkisë së Shkodrës dhe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Pjesëmarrësit i përshëndetën: z. Geron Kamberi, drejtor i Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë e Inovacionit dhe kryetari i Degës Mësimore të USH-së, prof. dr. Irakli Beka.
Ky promovim është një nismë që ndërmerret për të dytin vit radhazi nga Komisioni Evropian dhe ishte konceptuar në një mënyrë mjaft origjinale.
Dy autobusë (një i verdhë dhe një blu) të nisur nga Brukseli udhëtojnë në 34 shtete.
Gjashtëmbëdhjetë vende të Evropës në bashkëpunim me universitetet lokale, do të promovojnë rrjetin "Euraxess" .
Në Shqipëri është planifikuar të kalojë autobusi blu, i cili udhëton drejt dy qyteteve, Shkodër dhe Tiranë, përkatësisht në datat 15 dhe 16 tetor 2015.
Përmes kësaj ndalese përpara Bashkisë së Shkodrës dhe përmes promovimit që iu bë në Sallën e Konferencave të Rektoratit të Universitetit të Shkodrës, "EURAXESS" u paraqit si një network i krijuar për t'u ardhur në ndihmë të gjithë kërkuesve të cilët dëshirojnë të çojnë përpara karrierën e tyre, si dhe të zhvillohen profesionalisht, duke lëvizur për punësim nga një vend evropian në tjetrin. Ky aktivitet iu dedikua stafit akademik, kërkuesve shkencorë, studentëve të doktoraturës dhe masterit.
Veprimtaria promovuese ishte konceptuar në këtë mënyrë:
Në brendësi të autobusit, kërkuesit patën mundësi të realizojnë foto profesionale për CV-në e tyre. Jashtë autobusit kishte dy kompjutera për të shpjeguar çfarë është EURAXESS dhe si do të përdoret platforma Euraxess (online), për gjetjen e vendeve të punës dhe bursave të studimit në funksion të stafit akademik dhe studentëve.
Pranë Rektoratit të USH-së u zhvillua një workshop informues rreth programit Euraxess.
- 2638 lexime