Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi ditën e premte, më datë 24.07.2015, ora 10:30, në Sallën e Konferencave (A3) pranë Rektoratit të USH-së, ceremoninë e diplomimit të studentëve. Në këtë ceremoni festive merrnin pjesë studentë, pedagogë, prindër dhe përfaqësues të bizneseve.
Ceremoninë e hapi pedagogia e degës Administrim-Biznes, Elvisa Drishti .
Zv. Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Fatmir Vadahi duke uruar studentët që diplomohen, ndër të tjera u shpreh: “Ne si Universitet kemi punuar që ju të aftësoheni profesionalisht, të jeni ekspertë shumë të mirë, por gjithashtu kemi punuar që ju të zhvilloni aftësinë për të marrë vendime. Jemi përpjekur të zhvillojmë besimin dhe dëshirën për profesionin, të bëjmë më të mirën që puna, përgjegjësia dhe krijimtaria t’ju karakterizojë”.
Dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Arjeta Troshani, pasi vlerësoi punën dhe përpjekjet e studentëve që po diplomohen, u ndal tek fokusi kryesor i Fakultetit Ekonomik sidomos këto vitet e fundit. Dekania theksoi se cilësia e mësimdhënies, kërkimi shkencor dhe bashkëpunimi i ngushtë me biznesin, janë disa nga shtyllat e punës sonë. Më pas, ajo prezantoi një ndër iniciativat më të fundit që ka të bëjë më hapjen e një masteri në fushën e eksport-menaxhimit në bashkëpunim me subjektin privat italian të konsulencës “PROFIN ITALIA”.
Në emër të këtij subjekti përshëndeti përfaqësuesi z. Nicoló Castello, i cili shprehu bindjen se studentët që po diplomohen, po dalin sot në tregun e punës nga një Fakultet i mirë.
Në këtë ceremoni një vlerësim për studentët dhe punën e tyre erdhi edhe nga përfaqësuesja e Raiffeisen Bank në Tiranë, znj. Arjana Demuçaj, e cila premtoi një angazhim të studentëve të Fakultetit Ekonomik në aktivitetet e kësaj banke.
Prof. Mirjeta Beqiri ish-kolege në USH dhe aktualisht pedagoge në Universitetin e Gonzagës (SHBA), u bë pjesë e kësaj ceremonie me shpërndarjen e çmimit “Sadetin & Mirjeta Beqiri Excellence Award” për disa studentë të ekselencës.
Ceremonia vijoi me shpërndarje e disa certifikatave të sjella nga prof. Ted Oelfke, Sandhills Community College, SHBA.
Urimet më të mira për studentët erdhën nga përgjegjësja e departamentit të Administrim-Biznesit, dr. Albana Boriçi, përgjegjësja e departamentit të Financë-Kontabilitetit, prof.as.dr. Blerta Dragusha dhe përgjegjësja e departamentit të Turizmit, prof. as. dr. Brilanda Bushati.
Në fund të veprimtarisë shprehën emocionet e tyre studentët më të dalluar të këtij fakulteti.
Në vitin akademik 2014-2015 në të gjitha programet e studimit të Fakultetit Ekonomik u diplomuan 196 studentë.
- 5159 lexime