Më datë 10 qershor 2015 profesorët arbëreshë: Francesco Altimari, Matteo Mandala dhe sipërmarrësi Ernesto Madeo mbajtën një cikël leksionesh në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Prof. Francesco Altimari lektron prej disa vitesh pranë universitetit tonë dhe është titullar i lëndës “Studime arbëreshe”. Leksionet fokusoheshin kryesisht në disa hulumtime mbi të folmet arbëreshe të Italisë së Jugut duke u nisur nga burimet që shërbyen për lindjen e një dialektologjie arbëreshe, për të vijuar me disa zhvillime të dialektologjisë arbëreshe në Itali, në vendet gjermanike, në Shqipëri e në vende të ndryshme të Evropës Juglindore. Cikli i leksioneve përmbante edhe të rejat më të fundit të kësaj disipline, si dhe përqendrohej tek prurjet e studiuesve të ndryshëm.
Një interes të veçantë zgjuan edhe leksionet e mbajtura nga prof. Matteo Mandala, i cili kishte në vëmendje të ligjëratave të tij disa dorëshkrime nga krijimtaria e De Radës të gjetura së fundmi në arkiva.
Ernesto Madeo sipërmarrës i suksesshëm i grupit “Madeo” mbajti një leksion të hapur me studentët e Fakultetit Ekonomik, i cili u ndoq me mjaft interes nga këta të fundit.
- 2801 lexime