Më datë 22 maj 2015, ora 11:00, tek Biblioteka Shkencore Universitare u organizua një Forum Qytetar mbi tematikën e dryshimeve të klimës.
Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të COP 21 – Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimin e klimës, që do të zhvillohet në Paris në dhjetor 2015.
Ambasada e Francës në Shqipëri dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, me mbështetjen e Aleancës Franceze të Shkodrës, bashkëpunimit teknik gjerman nëpërmjet GIZ dhe OJQ-ve ambientaliste Aaarhus dhe Eko Mendje, ishin organizatorët e këtij Forumi Qytetar mbi temën e ndryshimit të klimës.
Me këtë rast, “Festivali i filmit për mjedisin në Shqipëri” (EFFA15) do të prezantojë një program filmash përgjatë gjithë ditës.
Veprimtarinë shkencore e hapi prof. dr. Irakli Beka, i cili ishte edhe moderator i këtij forumi. Duke marrë fjalën z. Hubert le Forestier, këshilltar për bashkëpunimin dhe veprimtarinë kulturore në Ambasadën e Francës, e vlerësoi këtë veprimtari, si dhe dha një informacion për konferencën COP 21. Pasi falënderoi të pranishmit dhe organizatorët, z. Le Forestier theksoi se çështjet kryesore që do të trajtohen në këtë forum kanë të bëjnë me efektet konkrete të ndryshimeve klimatike në Shqipëri, me aftësinë e vendit tonë për të marrë pjesë në reduktimin e këtyre efekteve, si dhe me zhvillimet ekonomike e përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Programi i kësaj veprimtarie vijoi me shfaqjen e një filmi dokumentar për lumin e Danubit dhe efektet e tij për mjedisin, klimën, florën e faunën.
Në kumtesën e tij “Ndryshimi i klimës, ndikimi tek mjedisi dhe roli i shoqërisë”, prof. dr. Irakli Beka u fokusua tek disa çështje që kanë të bëjnë me “efektin serrë”; impakte të ngrohjes globale në mjedis; inciativat ndërkombëtare për ndryshimet klimaterike; roli i shoqërisë në këto ndryshime, etj. Në fund të kumtesës, folësi paraqiti edhe rezultatet e një pyetësori të realizuar me studentë dhe nxënës për çështjet e mësipërme.
Prof. dr. Petrit Zorba nga Universiteti Politeknik i Tiranës, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, referoi kumtesën: “Ndikimet konkrete të ndryshimit të klimës në Shqipëri”.
Më tej vijuan me kumtesat e tyre:
Prof. dr. Mahir Hoti, Universiteti i Shkodrës
“Pasojat e ngrohjes globale dhe masat në Shqipëri për përshtatjen ndaj ndryshimit të klimës”.
Prof. as. dr. Marash Rakaj, Universiteti i Shkodrës
“Ndikimet e ndryshimit të klimës tek biodiversiteti”.
Prof. as. dr. Brilanda Bushati, Universiteti i Shkodrës
“Zhvillimi ekonomik dhe përshtatja ndaj ndryshimit të klimës”
Pas këtyre referimeve, pjesëmarrësit në këtë forum interaktiv diskutuan për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë më klimën dhe mjedisin.
Në fund të veprimtarisë u prezantua filmi “Mbro mjedisin! Mbro jetën!” i përgatitur nga një grup studentësh të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ky film me temë mjedisore është përzgjedhur në konkurrimin zyrtar të EFFA15.
- 2756 lexime