“Së bashku kundër trafikimit të personave” ishte veprimtaria sensibilizuese që u zhvillua sot në Bibliotekën Universitare nga Ambasada e Britanisë së Madhe, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prefektura dhe Policia e Qarkut të Shkodrës.
Takimin e hapi Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme znj. Elona Gjebrea, e cila ndër të tjera theksoi rëndësinë e tematikës së këtij takimi, pasi për fenomenin e shëmtuar të trafikimit të qenieve njerëzore nevojitet një bisedë e hapur me studentë dhe me pedagogë. Nga përvoja folësja rrëfeu se viktima të këtij trafikimi janë bërë shpesh edha vajza të reja nga radhët e universitareve.
Duke marrë fjalën Ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Nicholas Cannon OBE, u shpreh i kënaqur që i jepet rasti të marrë pjesë në këtë veprimtari, për të folur për një problem që shqetëson jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e tjera të Ballkanit. “Aktiviteti kriminal i trafikimit të qenieve njerëzore është një fenomen që dëmton shumë imazhin e vendit tuaj edhe për procesin e integrimit. Duhet të punojmë së bashku për ta luftuar këtë aktivitet të paligjshëm”, - theksoi në gjuhën shqipe ambasadori Cannon.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj, u ndal tek roli i universiteteve për të kuptuar problematikën e kësaj kauze sensibilizuese ku duhet të përfshihemi të gjithë. “Problemi është shumëdimensional dhe kërkon një vëmendje shumë të madhe nga universitetet, pasi kjo çështje lidhet dretpërdrejt edhe me institucionet e arsimit të lartë, ndaj duhet trajtuar gjerësisht për vetë pasojat dhe dëmet që sjell.”
Prefekti i Shkodrës, z. Paulin Radovani, ngriti shqetësimin se ky problem ka prekur më shumë vajzat dhe gratë që vijnë nga zona të varfra, prandaj ai vlerësoi këtë iniciativë bashkëpunimi, e cila nuk e mohon dhe e bën trasparent fenomenin e trafikimit.
Në fund të takimit u prezantuan një fotonovelë, si dhe u sqaruan e u diskutuan rastet se si mund të denoncohen ngjarje të tilla.
- 1812 lexime