Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me DRSHKP Shkodër dhe Dhomën e Tregtisë e të Industrisë (Shkodër), organizuan veprimtarinë “Panairi i punës 2015”.
Ky panair sjell për ekspozuesit një gamë të caktuar të punëkërkuesve, të cilët janë studentë të Universitetit të Shkodrës. Panairi i punës krijon një mundësi për kompanitë dhe të sapodiplomuarit në fushat e ndryshme të studimit të këtij universiteti, që të takohen dhe të marrin kontakt me njëri-tjetrin.
Panairi u zhvillua në sallën e konferencave të Hotel Colosseo, ora 10:00 – 14:00.
Aktivitetin e hapi përgjegjësja e Departamentit të Turizmit, prof. as. dr. Brilanda Bushati. Në fjalën e saj, znj. Elida Boshnjaku, përfaqësuese e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shkodër, uroi që kjo veprimtari e organizuar të ketë rezultate konkrete në të ardhmen.
Drejtori i Zyrës së Punës, z. Dodë Mehmetaj, falënderoi aktorët kryesorë të këtij bashkëpunimi të frytshëm. Ai vlerësoi Fakultetin Ekonomik si nismëtar dhe nxitës për punësimin e të rinjve.
Duke marrë fjalën, Dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Arjeta Troshani, vlerësoi traditën e krijuar në bashkëpunimin me bizneset, duke e bërë të përvitshëm këtë organizim. Fakulteti Ekonomik shpreson dhe pretendon që përmes bizneseve, do të ketë gjithmonë impakt në funksion të studentëve. Dekania Troshani solli për të pranishmit risinë e këtij viti, e cila konsiston në ofrimin e një kursi në fushën e “Import-Eksport menaxher”. Ky trajnim është fryt i bashkëpunimit të pedagogëve të Fakultetit Ekonomik dhe shoqatës italiane “Pro Fin”.
Më pas përfaqësuesi ligjor i shoqatës italiane “Pro Fin”, z. Nicolò Castelli, bëri një prezantim të detajuar të këtij tranimi.
“Panairi i punës 2015” vijoi me intervistat e studentëve nga bizneset pjesëmarrëse. Ai përbën një mundësi të mirë për ekspozuesit (punëdhënësit) që:
po planifikojnë punësime të reja;
kërkojnë të punësojnë personel të ri të kualifikuar mirë për pozicionet me kohë të plotë ose të pjesshme;
dëshirojnë të ofrojnë trajnime dhe praktika pune;
dëshirojnë të vendosin kontakte me studentë dhe profesorë, por dhe ekspozuesit e tjerë;
dëshirojnë të promovojnë kompaninë
Çfarë ofroi programi i panairit:
Një numër të madh të studentëve të përzgjedhur, të cilët janë:
në prag të diplomimit të tyre ne nivelin bachelor dhe master shkencor ose profesional;
të diplomuarit e rinj që kërkojnë punë;
studentë që kërkojnë të praktikojnë njohuritë e tyre pranë subjekteve të ndryshme private apo dëshirojnë të trajnohen;
zgjidhje efikase dhe lehtësi në procesin e rekrutimit të punonjësve të rinj;
kursim kohe për punëdhënësit, pasi do të kenë mundësi të mbledhin shumë CV, do të takohen me shumë studentë të rinj dhe ata që janë në prag diplomimi, do të mund t’i intervistojnë dhe të vendosin kontakte me ta;
mundësi prezantimi të materialeve promovuese të aktivitetit të subjektit që përfaqësohet.
- 2260 lexime