Ambasadori i Francës, z. Bernard Fitoussi, vizitoi qytetin e Shkodrës më 5 dhe 6 mars 2015. Në kuadër të kësaj vizite ishte parashikuar një takim me drejtuesit e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, si dhe një leksion i hapur me studentët.
Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi, priti në zyrën e tij ambasadorin Fitoussi. Në fjalën e tij rektori bëri një prezantim dhe një historik të shkurtër të rrugëtimit të USH-së ndër vite. Ai paraqiti strukturën aktuale dhe foli për objektivat dhe prioritetet e universitetit në të ardhmen. Ndër të tjera, z. Haxhi falënderoi Ambasadën e Francës, që vazhdimisht e ka mbështetur USH-në me lektorë të gjuhës frënge.
Gjatë takimit ambasadori u shpreh se nuk ka të ardhme për të rinjtë shqiptarë, nëse nuk kalohet nëpër rrugën e një formimi të mirë, siç është ai universitar. “Universiteti nuk është thjesht çështje tradite, por është edhe çështje shprese për të ardhmen".
Leksioni i hapur me temë: “Vendi i Shqipërisë në Evropë” u zhvillua në sallën e konferencave pranë Rektoratit të USH-së. Në hyrje të kumtesës së tij, z. Bernard Fitoussi, u shpreh: “Shqipëria zgjodhi që më 1992 ekonominë e tregut dhe demokracinë liberale. Pas më shumë se 20 vjet reformash dhe progresi ekonomik, është e ligjshme të hedhësh një vështrim mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe vendin e saj brenda hapësirës ekonomike dhe politike evropiane.
Dua të bëj një vërejtje paraprake thelbësore. Qëllimi im nuk është që të jap një ose disa mësime, ose të hap një diskutim politik që nuk është i përshtatshëm. Është fjala, në një mjedis universitar, të kemi rastin që të gjithë ne të mendojmë, kritikojmë dhe të debatojmë.”
Përmes leksionit të ambasadorit u trajtuan çështjet dhe nënçështjet e mëposhtme:
I. Shqipëria do të duhet të respektojë disa rregulla evropiane, për të zënë plotësisht vendin e saj midis ekonomive evropiane
1) Kërkesat e një ekonomie të hapur
2) Financat publike: respektimi i kritereve të Maastricht-it
II. Para Shqipërisë hapen shumë rrugë të mundshme, disa herë plotësuese, të zhvillimit ekonomik
1) Shkëmbimet ekonomike të Shqipërisë me shtetet anëtare të BE-së
2) Kërkimi i një modeli të ri të rritjes
III. Rruga evropiane e Shqipërisë kalon sa nga reformat kombëtare dhe nga bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit
1) Integrimi rajonal
2) Të pesë prioritetet kyç të BE-së
3) Procesi i reformës
Duke përfunduar ambasadori i Franës, z. Bernard Fitoussi, theksoi: “Vetëm njëqind vjet më parë, Evropa mori flakë nga një e shtënë pushke në Ballkan, në Sarajevë. Për të përfunduar bashkimin e kontinentit, duhet kaluar përmes integrimit evropian të Ballkanit. Sigurisht, Shqipëria do të përfitojë nga kjo. Por anasjelltas Evropa do të përfitojë gjerësisht nga integrimi i Shqipërisë. Modeli i suksesshëm i bashkëjetesës së feve që vërehet në shoqërinë shqiptare mund të jetë një shembull frymëzimi për vendet tona, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve të brendshme. Në Shqipëri nuk bëhet fjalë për një tolerancë të thjeshtë, por shumë më tepër, për vëllazëri, në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe përtej dallimeve fetare.
Së fundi, vendi juaj është e angazhuar në një rrugë të vështirë dhe të gjatë. Kjo kërkon kurajë dhe përkushtim, edhe nga ana e rinisë shqiptare. Franca do të jetë me ju në këtë rrugë të guximit.”
Në fund të veprimtarisë studentët bënë pyetje që kishin të bënin me çështjet e integrimit.
- 2924 lexime