Ditën e martë, më 16 dhjetor 2014, ora 11:00 tek salla e konferencave e Bibliotekës Shkencore Universitare u organizua promovimi i librit “Një jetë për Arin e Zi” i autorit Ramadan Perhati.
Në fjalën e tij të hapjes, prof. dr. Mahir Hoti, Kryetar i Këshillit të Profesorëve në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, bëri një prezantim të shkurtër të autorit prof. dr. Ramadan Perhati. Folësi bëri vlerësime për librin si një përpjekje shkencore serioze.
Në kumtesën “Rrugëtim i një jete në shërbim të “Arit të Zi”, prof. Bashkim Çela solli emocionet e tij për njohjen me autorin Perhati, të cilin e vlerësoi si një “kirurg” të nëntokës. “Vepra na befason me gjerësinë e trajtimit të argumenteve shkencore”, u shpreh ndër të tjera kumtuesi.
Prof. dr. Rifat Talani e cilësoi monografinë si një vepër mjaft origjinale, që trajton rrugëtimin e gjatë dhe historinë e naftës shqiptare.
Ma. Zamira Kasemi bëri një tjetër diskutim interesant rreth veprës.
Në fjalën e tij autori i veprës prof. dr. Ramadan Perhati u shpreh i emocionuar për konsideratat që u dhanë për librin e tij. Ai falënderoi organizatorët dhe të pranishmit për pjesëmarrjen.
Ky aktivitet promovues u mbyll me një fragment nga filmi “Shpërthimi”.
- 2065 lexime