Dr. h. c. Doris Pack , deputetja e njohur e Parlamentit Evropian zhvilloi pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” një leksion të hapur rreth marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, si dhe sfidave të së ardhmes. Në këtë aktivitet merrnin pjesë pedagogë dhe studentë. Më parë znj. Doris Pack zhvilloi një takim me rektorin prof. dr. Artan Haxhi, i cili i bëri një pasqyrë të punës së institucionit që ai drejton, si dhe vizionit për të ardhmen. Doris Pack foli për mundësitë e aplikimit të studentëve për shkëmbime studimore në kuadër të programit Erasmus +.
Veprimtaria e konceptuar në formën e një leksioni të hapur u organizua nën kujdesin e Bashkisë së Shkodrës dhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi. Takimin e hapi Aleksandër Marleci, Përgjegjës për Marrëdhëniet me Jashtë në Bashkinë e Shkodrës. Ai bëri një prezantim të shkurtër të veprimtarisë së Doris Pack, si një nga anëtaret më me përvojë të Parlamentit Evropian.
Znj. Doris Pack, u shpreh e kënaqur që ndodhet sot rishtaz në Shkodër. Në diskutimin e saj, ajo u fokusua tek realiteti i shkuar shqiptar dhe rrugëtimi i shoqërisë sonë nga një regjim i mbyllur drejt një demokracie. Marrja e statusit kandidat për në Bashkimin Evropian nga ana e Shqipërisë, është rezultat i një pune të gjatë nga i gjithë spektri politik shqiptar. Megjithatë znj. Pack, vuri në dukje se mbetet akoma shumë për të bërë kryesisht në zbutjen e marrëdhënieve të politikëbërësve me njëri-tjetrin.
Duke u ndalur në çështjet e arsimit folësja theksoi se ajo është një ndër themelueset e programit Erasmus + . Ky program ofron mundësi të vërteta për studentët. Ajo vuri në dukje se nëpërmjet Erasmus +, studentët mund të aplikojnë në mënyrë nominale, duke përdorur madje edhe fondet e BE-së. “Studentët mund të bëjnë një master të plotë, duke marrë kredi nga një bankë brenda Shqipërisë dhe strukturat e BE-së mund të hyjnë garant për këtë kredi studimesh. Kredinë e dhënë studenti fillon ta paguajë në vitin e parë të punës së tij ose mund të konvertohet në punë vullnetare brenda Bashkimit Evropian”, përfundoi znj. Pack.
Takimi vijoi në mënyrë interaktive, ku pyetën dhe diskutuan pedagogë dhe studentë.
Gjatë ditës znj. Doris Pack bëri edhe një vizitë në Muzeun e Dëshmisë dhe të Kujtesës (ish- Dega e Brendshme, Shkodër).
- 1721 lexime