Fakulteti Ekonomik i Universitetit tonë organizoi në teatrin “Migjeni” ceremoninë e diplomimit të studentëve. Në këtë ceremoni merrnin pjesë, përveç studentëve e pedagogëve të universitetit tonë, edhe pedagogë të universiteteve partnere në projektet e shumta që Fakulteti Ekonomik ka fituar ndër vite.
Ceremoninë e hapi pedagogia Elvisa Drishti.
Zv. Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Fatmir Vadahi në fjalën e tij u shpreh: “Është kënaqësi që sot në këtë ditë të veçantë për të gjithë ne, në veçanti për ju që mbaruat një cikël studimi, të përshëndes në emër të Rektoratit të Universitetit të Shkodrës. Nga ky podium, ju përshëndes të gjithëve ju që sapo jeni diplomuar, në të njëjtën kohë përshëndes edhe prindërit tuaj, që bënë më të mirën për ju, në mënyrë që të futeni sa më të përgatitur në rrugën e gjatë të jetës që ju pret. Përshëndes edhe pedagogët tuaj, që u përpoqën maksimalisht të realizojnë formimin tuaj shkencor e profesional”.
Dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Arjeta Troshani ndër të tjera theksoi: “Fakulteti ynë kurorëzon sot brezin e parë të diplomuarve në tri masterat profesionalë: Administrim-Biznes, Financë-Banke dhe Trashëgimi Kulturore e Menaxhim Turizmit, duke shpresuar se kemi mbështetur në këtë mënyrë zhvillimin ekonomik të Rajonit të Veriut të Shqipërisë me burime njerëzore më të kualifikuara dhe më të afta për tregun e punës. Siç mund ta dini iniciativa për aplikimin në MAS për tre programet tona të Masterave profesionalë u mbështet nga projekti TEMPUS CHTMBAL, në kuadrin e të cilit pedagogët patën mundësi të trajnohen në universitete perëndimore të rrjetit të projektit dhe po kështu më e rëndësishmja është se studentët e masterit profesional në turizëm, patën mundësi të përfitojnë nga mësimdhënia e pedagogëve nga Universiteti i Bolonjës, Chietit, Institutit të Arkeologjisë Klasike në Tarragona të Spanjës, duke përfituar nga ekspertica më e mirë evropiane në fushën e turizmit kulturor dhe të njohjes së siteve arkeologjike në Shqipëri e jashtë saj”.
Në fjalën e saj zv.ministrja e Arsimit dhe e Sportit, znj. Nora Malaj u shpreh se ndihem pjesë e arritjeve tuaja. “Një bravo e madhe për të diplomuarit e sotëm. Ministria e Arsimit dhe e Sportit po përpiqet për reformimin dhe standardizimin e arsimit të lartë dhe atij pasuniversitar. Nesër duhet të kemi të rinj të diplomuar që garojnë në tregun e punës. Urime për ju që sfiduat kohën dhe që ëndrrat i bëni realitet. Urime për kolegët pedagogë, në veçanti pedagoget që përbëjnë 99% të stafit akademik të këtij fakulteti. Urimet më të mira edhe për prindërit”.
Përshëndetjet më të mira solli për të pranishmit, prof. Massimo Bianchi, pedagog i Universitetit të Bolonjës dhe përfaqësues i Grantholderit kryesor të projektit TEMPUS CHTMBAL (pjesë e të cilit është edhe Fakulteti Ekonomik që prej vitit 2012).
Përgjegjësja e departamentit të Administrim-Biznesit, dr. Albana Boriçi, theksoi se sa herë që vjen kjo ditë e diplomimit të studentëve, një emocion i veçantë përsëritet tek unë. “Jam shumë krenare për arritjet e departamentit tonë dhe të departamenteve të tjera”.
Prof.as.dr. Blerta Dragusha, përgjegjëse e departamentit të Financë-Kontabilitetit, vuri në dukje se kjo është një ditë e shënuar për studentët, por është edhe një moment i veçantë edhe për pedagogët. “Ishte kënaqësi që punuam me ju studentë të të gjitha niveleve”.
Përgjegjësja e departamentit të Turizmit, prof. as. dr. Brilanda Bushati, u shpreh: “Universiteti është gur themeli për jetën tuaj. Ju vini nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Shkodrës, por në formimin tuaj u bënë pjesë edhe universitete të tjera perëndimore që janë partner të fakultetit tonë, ndaj duhet të jeni krenarë për këtë.”
Fjalë falënderimi përcolli edhe prof. David Turner, përfaqësues i Korpusit të Paqes, i aktivizuar edhe si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit Ekonomik.
Prof. Mirjeta Beqiri ish-kolege në USH dhe aktualisht pedagoge në Universitetin e Gonzagës (SHBA), u bë pjesë e emocioneve të kësaj ceremonie me shpërndarjen e çmimit “Sadetin & Mirjeta Beqiri Excellence Award” për disa studentë të ekselencës.
Në fund të veprimtarisë shprehën emocionet e tyre studentët më të dalluar të këtij fakulteti: Jetmir Muja, Syriha Laja, Arlinda Hasani, Pawel Sapiecha.
Aktiviteti u mbyll me shpërndarjen e diplomave të të gjitha niveleve.
Në vitin akademik 2013-2014, u diplomuan 148 studentë në programet e studimit bachelor. Për herë të parë në këtë fakultet u diplomuan 57 studentë në mastera profesionalë, si dhe 67 të diplomuar në mastera shkencorë.
- 3490 lexime