Në sallën e konferencave tek Rektorati i Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi", u promovua libri: "Diplomacia e Ismail Kemal Bej Vlorës - Rivalitetet e brendshme në Shqipëri dhe rruga e Pavarësisë 1912/13", i autorit prof. dr. Eqrem Zenelaj.
Një vit me parë ky autor promovoi në Universitetin tonë monografinë “Gjenealogjia e familjes shqiptare Albani nga Urbino dhe Bergamo e Italisë – Papës Clementi XI – ALBANI”. Me të drejtë kjo monografi u vlerësua për vetë faktin e materialit të bollshëm që autori ka grumbulluar për familjen Albani, e cila zë një vend të rëndësishëm në kulturën italiane.
Eqrem Zenelaj deri më tani ka publikuar pesë libra me recensentë të njohur ndërkombëtarë të vendeve gjermanofone. Ky është libri i tij i gjashtë. Ndër të tjera, Eqrem Zenelaj ka hapur tri ekspozita të mëdha me dokumente dhe gravura të vjetra arkivore me rëndësi kombëtare: njërën në Galerinë e Arteve të Kosovës me rastin e 540-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, tjetrën në Muzeun Kombëtar të Kosovës me rastin e njëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërsa ekspozitën e tretë, më të madhen, në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, ku ka paraqitur 240 gravura e dokumente të vjetra kombëtare me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Sot në Bashkinë e Shkodrës ai paraqiti ekspozitën me temë: "Shkodra me rrethinë, foto të viteve 1912-1917".
Eqrem Zenelaj ka ligjëruar në Universitetin Publik të Prishtinës dhe në disa universitete të tjera. Aktualisht ai ligjëron në Universitetin “FAMA” në Prishtinë dhe në Universitetin Mbretëror “ILIRIA”.
Në këtë aktivitet atë e shoqëronin edhe një grup personalitetesh të botës akademike dhe studentësh nga Kosova.
Duke marrë fjalën në veprimtarinë promovuese, rektori i i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi theksoi: “Libri më i fundit i studiuesit Eqrem Zenelaj “Diplomacia e Ismail Kemal Bej Vlorës – Rivalitetet e brendshme në Shqipëri dhe rruga e Pavarësisë 1912-1913”, është një kontribut me vlerë të lartë shkencore, pasi vjen si rezultat i një pune të gjatë apo i një përvujtnie shkencore, në burimet arkivore austro-hungareze, italiane dhe osmane. “Të shkruarit e historisë nuk është e drejtë ekskluzive e askujt, por e drejtë e secilit”, - shkruan autori në hyrje të librit. Me këtë moto prof. Zenelaj, duket se ka gërmuar dhe gjurmuar në arkivat që përmendëm, duke na sjellë fakte, fotografi, dokumente mbresëlënëse për të gjithë historianët, por edhe më gjerë”.
Në takimin promovues diskutuan: drejtori i Shtëpisë Botuese "Vatra", z. Jonuz Fetahaj (poet dhe shkrimtar), zv. rektori i Universitetit Shtetëror të Kosovës, prof. dr. Muhamet Mala, si dhe dr. Elena Kocaqi (Levanti), historiane e njohur për raportet e Shqipërisë me Austrinë.
Në prezantimin që i bëri librit autori Eqrem Zenelaj ndër të tjera vuri në dukje disa elemente nga dokumente origjinale, që i paraqiten lexuesit për herë të parë, si: “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë në Durrës më 26-27 nëntor 1912”; “Memorandumi i Ismail Kemal Vlorës” i vitit 1903 dërguar Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë, si dhe “Apeli politik kombëtar” i këtij patrioti, drejtuar parisë shqiptare nga Roma në vitin 1909. Një tjetër risi përbën edhe zbulimi i pemës gjenealogjike të familjes Vlora.
Të dyja këto veprimtari, promovimi dhe ekspozita, organizoheshin nën kujdesin e Rektoratit të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" dhe të Bashkisë së Shkodrës.
Në përfundim të veprimtarive prof. dr. Eqrem Zenelaj i dhuroi Universitetit tonë disa kopje të librit, ndërsa fondin e fotografive historike ia dhuroi Bashkisë së Shkodrës.
- 2691 lexime