Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në rolin e autoritetit përgjegjës për rininë dhe në përmbushje të programit të Qeverisë Shqiptare, ka filluar punën për përgatitjen e Strategjisë së Rinisë 2014-2020.
Në këtë kuadër në bashkëpunim me studentët e Fakulteteve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u organizua një takim në sallën e konferencave të Bibliotekës Universitare.
Duke folur në këtë kontekst z. Leart Kola, këshilltar i ministrit për çështjet e rinisë, vuri në dukje se procesi i përgatitjes dhe i hartimit të strategjisë kërkon përfshirjen e një sërë aktorëve, si: politikëbërës, ekspertë dhe përfaqësues të grupeve të interesit, siç janë të rinjtë dhe organizatat rinore. Drejtoria e Koordinimit të Politikave Rinore pranë MMSR-së, ka ndërmarrë një fushatë kombëtare në 12 qarqet e Shqipërisë për “përfshirjen e të rinjve në procesin e hartimit dhe përgatitjes së strategjisë”. Qëllimi i kësaj fushate është prezantimi dhe informimi i të rinjve mbi politikat kryesore të Qeverisë Shqiptare për sektorin e rinisë dhe angazhimi i tyre në tema, si: punësimi, edukimi, shëndeti dhe kultura.
Në rolin e monitoruesit të këtij procesi foli edhe z. Elton Kacillja, përfaqësues i organizatave të shoqërisë civile, i cili shpjegoi përfshirjen e këtyre të fundit në këtë proces. “Çështjet që dalin sot nga kjo dëgjesë duhet të përfshihen në këtë strategji”.
Më tej z. Leart Kola paraqiti në mënyrë të detajuar pikat kryesore dhe qëllimshmëritë e “Strategjisë e Rinisë 2014-2020” si më poshtë:
Kultura dhe kreativiteti (koha e lirë).
Qëllimi: Mbështetjen e kreativitetit të të rinjve dhe kapacitetit novator, duke nxitur zhvillimin personal, aftësitë e të mësuarit ndërkulturor dhe zhvillimin e aftësive të reja, për mundësi punësimi në të ardhmen
Punësimi.
Qëllimi: Mbështetjen dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës, si të punësuar apo si sipërmarrës.
Arsimi dhe Edukimi.
Qëllimi: Të mbështetet aksesi i barabartë për të rinjtë në edukim dhe formim cilësor në të gjithë nivelet, si dhe mundësia për të mësuarit gjatë gjithë jetës. Si plotësues i arsimit formal, edukimi joformal duhet të promovohet dhe të njihet zyrtarisht.
Shëndeti dhe fushatat sensibilizuese.
Qëllimi: Mbështetjen e shëndetit dhe mirëqenien e të rinjve, duke u fokusuar në promovimin e shëndetit mendor e seksual, sportin, aktivitetin fizik dhe jetesën e shëndetshme.
Demokracia dhe pjesëmarrja.
Qëllimi:Rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në demokracinë përfaqësuese dhe shoqërisë civile në të gjitha nivelet.
Studimi dhe kërkimi.
Qëllimi: Krijimin dhe realizimin e sa më shumë studimeve për gjendjen e rinisë në kuadër të cilësisë së jetës dhe punësimit. Përfshirjen e të rinjve aktivisht në sondazhe e anketime, si dhe krijimin e grupeve universitare, të cilat monitorojnë e krijojnë baza të dhënash për problematikat sociale të rinisë, përfshirjen e katedrës universitare, etj.
Rikonceptimi i bashkëpunimit me katedrën e shkencave sociale, për të ndërtuar platforma të qëndrueshme studimore. Përfshirjen e studentëve të shkencave sociale, si katalizator i rritjes së pjesëmarrjes së rinisë me projekte në fonde ndërkombëtare të Bashkimit Evropian.
U paraqitën gjithashtu si çështje: Inkurajimi individual i talenteve të ndryshme, inovacioni, shkëmbimet rajonale, aksesi në media, sporti, etj.
Studentët me pyetjet dhe diskutimet e tyre shprehën shqetësimet që lidhen kryesisht me mundësitë e punësimit, pjesëmarrjes në projekte konkrete, etj. U debatua në lidhje me krijimin e një kolektiviteti nga ana e të rinjve, i cili duhet t’i imponohet politikëbërjes.
- 3504 lexime