Në kontekstin e “Ditës Botërore të Librit” vijojnë aktivitetet në Bibliotekën Universitare. Sot u zhvillua një takim me shkrimtarin dhe pedagogun e departamentit të Letërsisë, doc. Ridvan Dibra. Ky takim i titulluar “Ora letrare e Ridvan Dibrës”, ishte konceptuar në formën e një dialogu ndëraktiv me pedagogë dhe studentë.
Veprimtarinë e hapi znj. Alida Luka, drejtore e Bibliotekës.
Punonjësja e Bibliotekës Universitare Arjeta Ferlushkaj, bëri një prezantim të profilit dhe të krijimtarisë së shkrimtarit Ridvan Dibra, i cili është tashmë një emër i njohur dhe i vlerësuar në letërsinë bashkëkohore shqipe. Firmën e këtij autori mbajnë veprat: Thjesht (poezi, 1989), Prostituta e virgjër (tregime, 1994), Eklipsi i shpirtit (tregime, 1994), Vetmia e diellit (parabola, 1995), Nudo (roman, 1995), Mjerimi i gjysmës (novela, 1996), Kurthet e dritës (roman, 1997), Triumfi i Gjergj Elez Alisë (roman, 1999), Stina e ujkut (roman, 2000), Të lirë dhe të burgosur (roman, 2000),Vëlla me centaurët (parabola, 2002), Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë (roman, 2002), em@il (roman 2003), Dekalogu i turpit (ese, 2004), Kumte dashurie (roman, 2004), Letra nga provinca (tregime e parabola, 2004), Sexonic ose Sesilja (roman, nëntor, 2005), Kafka i shkruan të birit (roman, nëntor, 2006), Një lojë me emrin postmodernizëm (libër për studentët, nëntor, 2007), Stina e maceve (roman, nëntor, 2007), Unë, Kafka dhe Karta e Bolognes (tregime, nëntor, 2008).
Nga kritiku Ali Aliu do të citonim: “Romanet dhe vëllimet me tregime, novela e parabola i kanë dhënë shkrimtarit Ridvan Dibra një vend të rëndësishëm në këtë zhanër letrar të shqipes. Lexuesi ka kënaqësinë që takon po atë prozator të talentuar, me mundësi të dallueshme epike, por njëherit edhe të ndryshëm, të përtërirë sidomos në rrafsh të idesë dhe teknikës narrative”.
Duke e marrë fjalën në këtë takim, Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, prof.as.dr. Mimoza Priku, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e gjerë të studentëve dhe të pedagogëve në këtë dialog me shkrimtarin Ridvan Dibra.
Në përshëndetjen e tij Ridvan Dibra theksoi: “Mbase nuk e meritoj gjithë këtë bujë, megjithatë desha të falënderoj sinqerisht organizatorët”.
Pyetjet e studentëve ishin inspiruar nga teksti letrar i Dibrës. Disa nga këto pyetje u fokusuan tek provincializmi në letërsi, trupat e huaja në tekstin letrar, etj. Në përgjigjet e tij, autori veçoi respektin e tij për lexuesin përmes një teksti të shkruar mirë. “Mllefi dhe inati prodhon veç një letërsi të dobët. Është dashuria që prodhon letërsi të madhe”. Duke u shprehur për letërsinë postmoderne, autori theksoi se nuk ka trupa të huaj në të. Vepra të tilla janë një alkimi tekstesh të ndryshme. “Nuk jam aq naiv sa ta quaj Shkodrën provincë. Lidhjet e mia me Shkodrën janë të ndryshme nga Koliqi, Fishta, Mjeda. Këtë letërsi do e kisha bërë kudo”. I pyetur si bashkëjeton brenda tij shkrimtari me pedagogun, Dibra u përgjigj se në momente të caktuara ato nuk shkojnë shumë mirë, megjithatë përpiqem të jem sa më pozitiv përballë studentëve. Lidhur me ndikimin që kanë pasur çmimet në krijimtarinë e Dibrës, autori theksoi: “Çmimet më shumë i bëjnë mirë të tjerëve, megjithatë nuk kam luksin t’i refuzoj. Dino Buxati dhe Franc Kafka, na japin mësimin e madh se letërsia qëndron brenda individit. Kam shkruar vepra pa e ditur se çfarë është postmodernizmi. Për mendimin tim, postmodernizmi, është më tepër çështje ndjeshmërie. Shkrimtari është gjykatësi i vetvetes, por edhe i lexuesit. Në një kuptim letërsia është gjykim. Edhe do e duash njeriun edhe do e gjykosh. Pa një fill human nuk mund të ketë letërsi të madhe”. Duke u shprehur për marrëdhënien e tij me artin dramatik dhe skenën, Ridvan Dibra vuri në dukje se do të isha i lumtur, në qoftë se ndonjëra nga pjesët e mia do të vihej edhe në skenën e teatrit “Migjeni”.
Një grup studentësh interpretuan për të pranishmit, një fragment nga poema “Plagët e Moisiut”.
Me të drejtë kritiku Agim Vinca shprehet: “Dibra është sot padyshim një nga njerëzit që shkruajnë më së miri shqip, në kuptimin e mjeshtërisë së fjalës. Fjalisë së tij nuk mund t’i shtohet e as t’i hiqet gjë. Mirëpo atij, së paku jo deri tani, nuk i është dhënë vendi që e meriton në hierarkinë e vlerave tona letrare. Kritika letrare nuk e ka thënë as përafërsisht fjalën e saj për krijimtarinë e këtij autori”.
- 4310 lexime