Shtëpia

Dt. 19. 03. 2014. Takim i ambasadores franceze në Shqipëri, znj. Christine Moro me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Më datë 19 mars 2014, në Sallën e Konferencave pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua një diskutim i ambasadores franceze në Shqipëri, znj. Christine Moro me studentë dhe pedagogë.

Veprimtarinë e hapi pedagogu i gazetarisë Ardi Hoti, i cili prezantoi tematikën e diskutimit që lidhej me çështjet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Duke marrë fjalën ambasadorja franceze, znj. Christine Moro, kujtoi takimin e saj të shkuar me studentët dhe pedagogët e universitetit tonë, si dhe u shpreh e kënaqur për vendosjen e këtij dialogu të rregullt. “Shqipëria po kërkon statusin e kandidatit në BE. Zgjedhjet ishin testi i pjekurisë së vendit tuaj dhe këtë test ju e kaluat me sukses. Për këtë ia vlen të përgëzoheni. Në të njëjtën kohë për marrjen e statusit vendi duhet të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe për këtë kërkohet një angazhim jo vetëm nga ana e autoriteteve shtetërore, por edhe e popullsisë. Statusi duhet merituar dhe për këtë ka rëndësi edhe roli juaj në këtë proces, sepse ju jeni pjesa më e arsimuar e shoqërisë civile dhe duhet të shpreheni rreth çështjeve të integrimit, si dhe të inkurajoni të gjithë aktorët e këtij procesi”.

Më pas takimi vijoi me pyetjet e studentëve, të cilat u përqendruan tek afati i pranimit të statusit kandidat; ndikimi negativ që mund të kenë azilkërkuesit shqiptarë në Francë; reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare ndaj administratës; rolit të opozitës në procesin e integrimit; hapave të ndërmarra në Shqipëri në fushën e arsimit; barazisë gjinore dhe nivelit të jetesës.

Në përgjigje të këtyre pyetjeve ambasadorja franceze Christine Moro, u shpreh se në qershor shpreson tek një përgjigje pozitive për statusin. “Çështja e integrimit varet nga politikat e Shqipërisë. Vlerësimi do të varet nga kritere objektive. Ka pasur mjaft vonesa vitet e shkuara, të cilat lidhen me çështje të brendshme politike. Për ne është e rëndësishme të ketë bashkëpunim të klasës politike shqiptare”.

Lidhur me azilkërkuesit, ambasadorja u shpreh se në fund të vitit të kaluar, Shqipëria është vendosur në listën e vendeve të sigurta, kështu që një shqiptar që kërkon azil në Francë, ka shumë pak shanse ta përfitojë atë. Për reformat në fushën administrative znj. Christine Moro theksoi se stabiliteti i administratës publike është një çështje e rëndësishme. Përsa i përket fushës së arsimit folësja u shpreh që sistemi arsimor duhet përmirësuar. “Gjithë kjo punë kërkon një refleksion dhe shina të mbara”. Një tjetër çështje që u vlerësua kishte të bënte me ekonominë dhe rolin e saj për shtetin e së drejtës.

Duke përfunduar ambasadorja franceze, znj. Christine Moro tha: “Statusi i kandidatit nuk është një rezultat, është një etapë, është një fillim. Pas marrjes së statusit përpjekjet tuaja duhet të vazhdojnë, sepse ia vlen të luftosh për idealin dhe ëndrrën e Evropës”.

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).