Ditën e enjte, më datë 30 janar 2014, në sallën e konferencave të Bibliotekës Shkencore, u zhvillua një takim me temë: “Problemi i fëmijëve të ngujuar”. Në këtë veprimtari të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Drejtoria Arsimore Rajonale Shkodër, merrnin pjesë: Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, znj. Lindita Nikolla, Drejtoresha e DAR Shkodër, znj. Erjeta Laçej, Rektori i USH-së, prof. dr. Artan Haxhi, si dhe dekanët e fakulteteve.
Tematika e këtij aktiviteti kishte zgjuar interesin e studentëve dhe pedagogëve të degëve të gjuhë-letërsisë, gazetarisë, juridikut dhe të punës sociale. Takimin e hapi dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, prof.as.dr. Mimoza Priku, e cila i uroi mirëseardhjen ministres Nikolla.
Duke marrë fjalën, znj. Lindita Nikolla theksoi se ndihej mirë sot në këtë auditor të Universitetit të Shkodrës. “Unë do të dëshiroja që përpara se të bisedonim për problematika të ndryshme që ju shqetësojnë, të falënderoj grupin nismëtar: pedagogë, studentë dhe qytetarë të nderuar të Shkodrës, të cilët kanë ndërmarrë një nismë të madhe për zhdukjen e plagës së gjakmarrjes dhe të ngujimit”. Në këtë rrugëtim vijoi më tej folësja, unë do të jem me ju sa herë që të më ftoni, për ta zhdukur këtë plagë sociale. “Duhet t’u mundësojmë fëmijëve të ngujuar lirinë”. Më tej ajo theksoi se institucioni që drejton po punon fort për një situatë të re dhe për cilësinë në arsimin e lartë. Ajo e vlerësoi Universitetin e Shkodrës si një universitet me tradita, por në të njëjtën kohë shprehu shqetësimin, që ka të bëjë me cilësinë e shërbimit të mësimdhënies për studentët. “Arsimi i lartë duhet t’i shërbejë të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Koha nuk pret, ndaj na duhet një realitet i ri. Ne kemi filluar nga puna me një program të qartë për një reformë të thellë të arsimit të lartë”. Folësja përmendi disa nga hapat e bëra deri tani për krijimin e një komisioni në funksion të reformimit të arsimit të lartë, si dhe evidentoi punën e deritanishme për procesin e akreditimit të universiteteve publike dhe jopublike. Znj. Nikolla premtoi se do të kemi një qasje të re me kurrikulat. Në anën tjetër ajo u shpreh se jemi të vendosur që ta shkulim korrupsionin, si dhe ta largojmë njëherë e mirë politikën nga universiteti.
Ky takim i konceptuar në formën e një debati, përfshiu edhe studentin Gentian Doda dhe pedagogun e gazetarisë Ardi Hoti, anëtarë të grupit nismëtar për pajtimin e gjaqeve, të cilët prezantuan përvojën e tyre të deritanishme në këtë iniciativë të madhe humane.
Më pas tubimi u fokusua edhe në probleme të tjera që lidhen me mësimdhënien dhe cilësinë e saj në universitete. Në këtë kontekst diskutuan disa pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Drejtësisë, të Shkencave të Natyrës, etj.
Veprimtaria u mbyll nga vetë Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, znj. Lindita Nikolla, e cila bëri thirrje që ta ruajmë këtë komunikim dhe këtë transparencë me njëri-tjetrin.
- 3851 lexime