Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Shtëpinë Botuese “Aleph”, organizuan një takim me shkrimtarin e shquar italian Claudio Magris në sallën e konferencave pranë rektoratit. Në këtë veprimtari merrnin pjesë pedagogë, studentë, intelektualë dhe personalitete të ndryshme të kulturës së qytetit. Veprimtarinë e hapi pedagogu i departamentit të Romanistikës, Carmine di Giandomenico, i cili bëri një paraqitje të shkurtër të programit të Lectio Magistralis me temë: “Në udhëtim: me apo pa kthim”.
Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, znj. Fulvia Veneziani, falënderoi shkrimtarin që ka pranuar ftesën për pjesëmarrje dhe po u drejtohet sot lexuesve me këtë leksion. Ajo gjithashtu falënderoi edhe pedagogen Alma Hafizi për organizimin e kësaj veprimtarie.
Një krahasim të konteksteve socialkulturore triestine dhe shkodrane, bëri në diskutimin e saj pedagogia Eliana Laçej.
Më pas pedagogia Alma Hafizi diskutoi mbi fakte biografike, mbi veprat kryesore, si dhe mbi tematikat e preferuara të shkrimtarit Claudio Magris. Ky shkrimtar theksoi ndër të tjera folësja, mes gjërave të vogla, më minimale të provincës dhe të periferisë, mes gjërave më pak të dallueshme, gjen plotësinë e domethënies së jetës.
Duke marrë fjalën shkrimtari Claudio Magris theksoi se këtë takim më shumë se Lectio Magistralis e konsideron një bisedë të lirë me studentë dhe pedagogë.Shkrimtari vlerësoi kontributin e pedagoges Alma Hafizi, që e ka afruar veprën e tij me lexuesin shqiptar qoftë përmes studimit të saj, qoftë edhe përmes përkthimit të veprës “Danubi”. “Besoj që për të treguar se si kanë lindur disa prej librave të mi, është thelbësore të nisesh nga përvoja që unë kam me kufirin”. Më tej ai theksoi se tek “Danubi” kam bërë atë që kam mundur. “Jeta është realisht një udhëtim dhe “Danubi”, bëhet romani i një personazhi në të cilin gjej vetveten, jo vetëm duke u zhytur në botën e brendshme, por edhe duke dalë jashtë tij për të gjetur botën që na rrethon. Pyetja e madhe që shtrohet është nëse individi mund ta përshkojë jetën e tij duke u rritur pozitivisht, si dhe duke ruajtur vetveten. Në këtë mënyrë udhëtimi na shërben për t’u kthyer në shtëpi duke konfirmuar personalitetin tonë”. Përmes një ligjërate interesante Magris u ndal tek motivi i udhëtimit në veprat më domethënëse të letërsisë botërore, duke i ndërmendur të pranishëmve Odisenë e Homerit, Uliksin e Xhojsit dhe Don Kishotin e Servantesit. “Disa vende na flasin vetë përmes bukurisë së tyre, ndërsa disa vende nuk jemi në gjendje t’i kuptojmë dhe t’i shohim”, përfundoi leksionin e tij shkrimtari Magris.
Takimi vijoi në formën e një dialogu interaktiv mes autorit dhe pjesëmarrësve. Claudio Magris, shkrimtar, kritik, studiues, ka lindur në Trieste në vitin 1939. U diplomua në Universitetin e Torinos, ku vazhdoi të japë mësim gjuhën dhe letërsinë gjermane deri në vitin 1978. Aktualisht është profesor në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë të Universitetit të Triestes. E kanë quajtur “një torinez Trieste-je”, epitet i këndshëm për vetë profesorin. Studimet e tij të shumta kanë ndihmuar për të përhapur në Itali një vetëdije më të madhe të kulturës së Evropës Qendrore dhe letërsisë së mitit të Habsburgëve. Përkthyes i Ibsen-it, Kleist-it dhe Schnitzler-it, bashkëpunon me “Corriere della Sera”, si dhe me gazeta dhe revista të tjera.
Në këtë veprimtari u promovuan librat e këtij autori: “Microcosmi – Mikrokosmose” dhe “L’ infinito viaggiare – Udhëtim pa mbarim”, që janë botuar nga Shtëpia Botuese “Aleph”.
Nëse Danubi përfshinte një zonë të gjerë gjeografike dhe historike, përmes librit “Mikrokozmose”, Claudio Magris na çon për të zbuluar vende të kufizuara, gradualisht të vogla. Nga përshkrimi i peizazhit në historinë e jetëve të vogla ose të mëdha, të fateve, pasioneve, të ngjarjeve komike apo tragjike që e kanë shënuar, vërshon një tregim që rrjedh, derdhet e që ndjek rrugën e vet të fshehur, si rrjedha e një lumi.
“L’ infinito viaggiare – Udhëtim pa mbarim” na rrëfen se ka vende që të magjepsin, sepse ato duken rrënjësisht të ndryshme dhe që herën e parë të duken të njohura, pothuajse si qyteti i lindjes. Njohja shpesh është platonikisht rinjohje, shfaqje e diçkaje ndoshta të injoruar deri në atë moment, por të pranuar si tënden. Për të parë një vend duhet ta rishikosh. I njohuri dhe familjari, vazhdimisht të rizbuluar dhe të pasuruar, janë premisat e takimit, të joshjes dhe aventurës.
- 2421 lexime