Në mjesidet e Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u promovua monografia e Kurt Gostentschnigg: Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918. Ëiesbaden: Springer VS 2018. (828 f.) (“Shkenca në fushën tensionuese të politikës dhe ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918”), një bashkëpunim mes Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Ambasadës Austriake në Tiranë, me të cilin çelet sipari i veprimtarive për vitin kulturor Austri – Shqipëri.
Kjo monografi ofron për herë të parë një paraqitje përmbledhëse të të gjitha marrëdhënieve austro-hungaro-shqiptare në shkencë, politikë, ekonomi, ushtri dhe kulturë si dhe një përpjekje të rikonstruksionit të fushave “shkencë/albanologji”, “politikë”, “ushtri” dhe “austrofilë” sipas teorisë së fushës të Pierre Bourdieu-s. Ky studim i përgjigjet pyetjes së lidhjes së shkencës, politikës dhe ushtrisë në këto marrëdhënie bilaterale duke zbatuar teorinë e imperializmit kulturor të Johan Galtung-ut, emërton aktorët individualë dhe kolektivë të fushave të lartpërmendura, tematizon perspektivat e tyre, tipizon aktorët individualë si dhe përmban një tematizim të ndërveprimit të fushave dhe një rikonstruksion të ashtuquajturës “fushë të pushtetit”.
Kapituj kryesorë përqendrohen në kërkime sipas:
· Fusha Shkencore
· Fusha Politike
· Fusha Ushtarake
· Fusha e Austrofilëve
· Ndërveprimi i fushave
Pas një pune kërkimore të përmasave kolosale, përmes një analize të thukët autori arrin në përfundimin se “Fusha e Pushtetit” mund të konsiderohet motor për imperializmin kulturor me anë të dhunës strukturore dhe kulturore.
Punimi, përveç vlerave shkencore, arkivore dhe historike, sjell ngacmime dhe pista studimore për studentë, pedagogë dhe studiues të disiplinave histori, shkenca politike, diplomaci, gjuhësi, albanologji, etnografi, gjeografi dhe arkeologji, për të punësuar në shërbimin diplomatik.
Autori i monografisë, Mag. Dr. phil. Kurt Gostentschnigg është historian, albanolog, gjermanist, përkthyes dhe interpretues i çiftit gjuhësor gjermanishte-shqipe si dhe shkrimtar dhe poet, banues në Graz, Austri.
- 3078 lexime