Shtëpia

Dt.21.12.2017. Ceremoni festive me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi një ceremoni solemne në mbyllje të vitit jubilar të 60-vjetorit të krijimit të tij. Në këtë veprimtari merrte pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta.

Kjo ngjarje e rëndësishme për njërin prej institucioneve më të rëndësishme të arsim të lartë në Shqipëri, kishte mbledhur personalitete të larta të shtetit, deputetë, rektorë, akademikë, pedagogë dhe studentë.

Për të nderuar këtë pjesëmarrje, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Adem Bekteshi, në një fjalë të përzemërt përshëndetëse ndër të tjera u shpreh: “Arritjet e Universitetit në këto 60 vjet janë rezultat i punës dhe krijimtarisë së vazhdueshme, vendosmërisë, pasionit për kreativitet dhe përgjegjësi për arsimin dhe shkencat e shumë brezave të pedagogëve, stafit administrativ dhe studentëve të Universitetit. Në festimin e sotëm dua të shpreh mirënjohjen e thellë për universitetet të tjera brenda dhe jashtë vendit, institucione kërkimore, biznese dhe organizata, grupe dhe individë, shkencëtarë dhe menaxherë në autoritetet qendrore dhe lokale të vendit, që shpesh kanë pasur konsideratë dhe kanë treguar mbështetje për institucionin tonë në shumë mënyra, duke kontribuar në arritjet, pozicionin dhe reputacionin universitetit tonë”.

Urimin më të fundit në këtë përvjetor rektori ia dedikoi studentëve të së shkuarës, të së tashmes dhe të së ardhmes së këtij universiteti.

 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, e vlerësoi Universitetin “Luigj Gurakuqi” si shembull i spikatur i dijes në vendin tonë. Ndër të tjera ai u shpreh: “ 60- vjetori i themelimit është një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm për qytetin e mrekullueshëm të Shkodrës, por për gjithë vendin. Shkodra dhe Universiteti përbëjnë një qendër të rëndësishme me ndikim për arsimin, kulturën e shkencën shqiptare. Historia, kultura, arsimi e tradita artëdashëse e këtij qyteti kanë qenë e mbeten vlera të spikatura të historisë, kulturës e arsimit shqiptar. Trashëgimia që keni krijuar për 60 vjet dhe vlerat që keni arritur përbëjnë një pasuri të madhe për arsimin e vendit tonë, duke dhënë një kontribut cilësor edhe në zhvillimin ekonomik jo vetëm të këtij rajoni, por gjithë vendit, për ecjen e tij në rrugën e demokracisë dhe integrimit evropian .”

Në këtë ceremoni Presidenti i Republikës i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh” pedagogut të këtij universiteti, prof. dr.Dhimitër Dhora, për punën e spikatur në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.

 

Më tej pjesëmarrësit ndoqën një dokumentar që rrëfente shkurtimisht rrugëtimin e gjatë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

 

Veprimtaria vijoi me shpërndarjen e titujve të nderit të akorduar nga Senati Akademik i USH-së. Titulli “Profesor Nderi” iu dha prof.dr. Fatmir Hoxha dhe prof. dr. Damir Matanoviç, ndërsa titulli “Mirënjohje e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”” iu dha përfaqësuesve të stafit akademik si më poshtë: Bajram Xhafa, Bardhyl Kraja, Gilman Bakalli, Ilir Berhani, Kolë Nuku, Mina Gera, Mirjam Taipi, Rifat Talani, Vjollca Medja, Muhamet Trepçi.

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).