“Adem Demaçi dhe vepra e tij” titullohej veprimtaria shkencore e organizuar nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës më datë 30 tetor 2013, ora 13:00, në sallën e konferencave të Bibliotekës Shkencore Universitare. Në këtë takim u promovua kolana e plotë e veprave të këtij autori, e cila përfshinte këto tituj: “Fërkime” (tregime), “Gjarpinjtë e gjakut” (roman), “Libër për Vet Mohimin” (roman), “Heli e Mimoza” (roman), “Nëna Shegë e pesë gocat” (roman), “Shkrumbnajë e dashuri” (roman), “Alb Prometeu” (roman), “Politika dhe pushka” (dramë), “Tung vargu im” (poezi).
Fjalën e hapjes e mbajti prof. as. dr. Mimoza Priku, dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, e cila ndër të tjera u shpreh: “Sot promovojmë krijimtarinë letrare të kësaj figure të rëndësishme parë në dy plane, si gjetje letrare artistike, por edhe si prurje gjuhësore, ndaj edhe kumtesat që do të mbahen nga kolegët do të përqendrohen si në artin e të shkruarit, ashtu edhe në atë të mjeshtërisë së gjuhës. Ato do të zbulojnë shkrimtarin origjinal, stilistin e veçantë, fjalëkrijuesin, tregimtarin, poetin, dramaturgun, pse jo edhe filozofin. Vepra letrare e Adem Demaçit vjen si një zë i fuqishëm dhe i guximshëm, duke zënë një vend të rëndësishëm në historinë e letërsisë kombëtare shqipe”.
Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. dr. Shyqyri Galica mbajti kumtesën: “Jeta dhe vepra e Adem Demaçit”. Ai theksoi se në veprën e Adem Demaçit jepet realiteti i jetës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe më vonë në Serbi. Autori i ka lëvruar të trija gjinitë dhe kudo vihet re prirja dokumentare e krijimtarisë së tij. “Demaçi përmes një lënde të ngjeshur mirë, shkrin elementin politik dhe artistik. Në këtë procedim shfaqet toni eseistik, që i jep dinamikë shkrimit të tij”.
Veprimtaria vijoi me kumtesat: Dr. Arben Prendi: “Tematika, problematika dhe bota e personazheve në disa romane të Adem Demës” (Me objekt romanet “Gjarpinjtë e gjakut”, “Alb Prometeu”, “Dashuria kuantike e filanit”).
Prof. dr. Tefë Topalli – Dr. Anisa Kosteri: “Prurje gjuhësore nga të dy dialektet në prozën artistike të Adem Demaçit”.
Dr. Elindë Dibra: “Adem Demaçi legjendë e gjallë”.
Prof. as. dr. Rrezarta Draçini: “Një trajtim psikolinguistik i prozës së Adem Demaçit”
Dr. Flora Brovina: “Figura e Adem Demaçit në letërsi”.
Prof. Abdyl Kadolli: "Drama kombëtare në dramën artistike".
Në fund të takimit përshëndeti autori, i cili me mjaft emocion i vlerësoi shumë kumtesat që u referuan për veprën artistike dhe kontributin e tij shoqëror. “Jam i befasuar nga ligjërimet tuaja. Për mua është kënaqësi kur shoh se vepra ime po kuptohet dhe po përjetohet. Këtu më quajtën hero, por unë më shumë se i tillë, ndihem një ushtari i thjeshtë i popullit tim”. Më tej ai vuri në dukje ndikimet prej Koliqit të madh, sidomos në prozën e tij, si dhe shprehu simpatinë për zhdërvjelltësinë e gegërishtes, duke e parë atë si pjesë të rëndësishme brenda hambarit të shqipes. “Kam dëshirë t`ju shoh prapë. Shkodra gjithmonë më frymëzon. Jemi një komb dhe duhet të mendojmë e veprojmë kombëtarisht”, përfundoi folësi.
Adem Demaçi u lind në Prishtinë në vitin 1936. Është veprimtar i shquar për çështjen kombëtare në Kosovë dhe për të drejtat e njeriut. Kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, më pas vijoi studimet për shkencat juridike në Prishtinë dhe për letërsi në Beograd. Në vitet `50 punoi në gazetën “Rilindja” dhe në shtëpinë botuese “Rilindja”, ku botoi një varg shkrimesh publicistike, tregime, poezi dhe përkthime letrare. U bë i njohur me veprën “Gjarpinjtë e gjakut”(1958), që trajton plagën e dhimbshme të gjakmarrjes. Qysh në moshë të re u angazhua në lëvizjen kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, duke ngritur zërin kundër shpërnguljeve dhe diskriminimit kombëtar ndaj tyre. Në vitin 1958 u dënua me tre vjet burgim. Pas daljes nga burgu (1961) vijoi ilegalisht veprimtarinë e tij duke krijuar organizatën “Lëvizja revolucionare e bashkimit të shqiptarëve”, e cila kishte si objektiv bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë veprimtari u dënua me 15 vjet heqje lirie (1964). Në gjyq mbrojti pikpamjet e tij për bashkimin e trojeve shqiptare dhe kjo e bëri të njohur në gjithë Kosovën. U lirua nga burgu më 8 shtator 1974, por pas një viti u arrestua për të tretën herë dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. U lirua më 28 prill 1990. Për vuajtjet e tij gjatë 28 vjetëve burgim, si disident në Jugosllavi, u vlerësua me çmimin “Saharov” në Strasburg (1991). E vijoi veprimtarinë kombëtare dhe në vitin 1998 u bë përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E mbajti këtë detyrë deri në shkurt të vitit 1999, kur dha dorëheqjen, pasi nuk u pajtua me pjesëmarrjen e shqiptarëve në Konferencën e Rambujesë (1999). Pas vendosjes se Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Adem Demaçi ka mbajtur ligjërata në degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe ushtron veprimtari shoqërore për mbrojten e të drejtave të njeriut në Kosovë.
- 3076 lexime