Shtëpia

Java e trembëdhjetë e kulturës italiane në botë “Kërkimi, zbulimi, risitë: Italia e dijeve”

Në datat 14,16 dhe 17 tetor në sallën e konferencave të Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, zhvillohen disa veprimtari në kuadër të javës së kulturës dhe gjuhës italiane në botë. Në aktivitetin prezantues  të këtij programi të datës 14 tetor 2013 përshëndeti konsulli italian në Shkodër, Dott. Maurizio Polselli, i cili ndër të tjera e vlerësoi këtë javë aktivitetesh si një mundësi e mirë për të dy popujt tanë për të qenë gjithmonë pranë njëri-tjetrit. “Duke organizuar këto veprimtari ne jemi të bindur se të dy popujt tonë do të jenë përherë e më afër dhe do të forcojnë bashkëpunimet, madje edhe në funksion  të  punësimit”. Pasi deklaroi të hapur javën e trembëdhjetë të kulturës italiane në botë, konsulli Polselli i dha fjalën  z. Carmine di Giandomenico, lektor në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i cili bëri paraqitjen e një programi të detajuar të veprimtarive që do të zhvillohen në mbarë vendin në kuadër të javës italiane të kulturës. Më pas u vlerësuan studentët më të mirë të seksioneve dygjuhëshe të shkollave të mesme të qytetit tonë. U prezantuan disa nga  punimet letrare të konkursit të titulluar “Rrugëtim nëpër gadishull”. Objektivi i këtij konkursi të hapur për nxënësit dhe studentët e seksioneve dygjyhësh italo-shqiptarë nga rrethet e Tiranës, Shkodrës dhe Korçës, ishte mbledhja dhe paraqitja e historive, përshtypjeve dhe mbresave që vënë në dukje veçoritë e artit dhe të arkitekturës italiane, duke na mësuar kështu diçka më shumë edhe për shkrimin letrar, rrëfimin dhe format e shprehjes. Ky konkurs do të përfundojë më 04 dhjetor 2013, kur komisioni i provimit do të mblidhet për të shpallur fituesin e çmimit të parë kombëtar për punën më të mirë nga të tri rrethet dhe një çmim të dytë për punën më të mirë në çdo rreth.

Më 16 tetor 2013 në seminarin: “Kërkimi, zbulimi, risitë: Italia e dijeve” kushtuar gjuhës italiane në botë diskutohet rreth temës së kontributit italian në progresin shkencor, kulturor dhe civilizues në Evropë dhe në botë. Në këtë takim mbahen këto kumtesa:

Prof.Augusta Brettoni (Universiteti i Firences) “Italia e letërsisë: Tradita, kërkime dhe risi të përbashkëta”

Prof.as.dr. Alma Hafizi (Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”): “Kontributi italian për qytetërimin dhe kulturën evropiane”.

Dr. Eliana Laçej (Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”): Kërkime glotodidaktike në perspektivën ndërkulturore të italishtes L2/LS”.

Ma Ingrid Tirana (Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”): Disa vëzhgime mbi ligjërimin e rrjeteve sociale; komunikime oneline, neologjizma dhe shkurtesat”.

Në sesionin e dytë të datës 17 tetor 2013, referojnë:

Prof. Paulo de Simonis (Universiteti i Firences): “L’Unesco e il campanile”.

Prof. dr. Irena Lama (Universiteti i Tiranës, departamenti i Italianistikës): ““Parfum limoni” nga Brigidinqa Gentile”.

Dr. Alva Dani (Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”): “Umberto Eko, një enciklopedi e gjallë”.

Në vazhdim të veprimtarive do të  prezantohet një videokonferencë për librin “Raporti letrar dhe ndërkulturor mes Italisë dhe Shqipërisë”, përmes të cilit paraqiten një seri studimesh dhe kërkimesh të autorëve shqiptarë dhe italianë, në mes të cilëve ishte edhe Carmine Abate (me origjinë arbëreshe). Ky vëllim vjen nën kujdesin e Emma Bond e Universitetit të Oksfordit dhe Daniele Comberati i Universitetit të Brukselit. Prezantimi i këtij vëllimi në videokonferencë  bëhet i mundur nga Daniele Comberati, i cili vlerëson se ky është studimi i parë organik mbi lidhjet letrare dhe kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë nga shekulli XV deri në ditët tona. Ky studim sjell një analizë në një këndvështrim të ri dhe bashkëkohor të këtyre marrëdhënieve.