Shtëpia

Dy fjalë për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Mbi një truall të begatë e me tradita të shquara e të gjithanshme më 2 shtator 1957 (me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 150, datë 18. 04. 1957) hapet Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës (ILP), duke qenë e para shkollë e lartë në vend pas asaj të Tiranës. Ai ishte dhe vazhdon të jetë një nga institucionet më të rëndësishme të vendit dhe qendra më e madhe mësimore, shkencore dhe kulturore e Veriut të Shqipërisë.

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka kaluar nëpër disa etapa zhvillimi :

·      Institut i Lartë Pedagogjik me afat studimi 2 – vjeçar (1957 – 1970).  Kishte  dy degë : Gjuhë shqipe - Letërsi - Histori dhe Matematikë - Fizikë.  Në vitin akademik 1962 - 1963 u hap edhe dega Biologji – Gjeografi. Ishte i vetmi institucion që përgatiste kuadrin mësues për arsimin 8 - vjeçar për të gjithë Shqipërinë. Gjatë kësaj periudhe u diplomuan 4 505 mësues në të dy sistemet (me dhe pa shkëputje nga puna).

·      Institut i Lartë Pedagogjik me afat studimi 3 - vjeçar (1970 – 1982). Kishte katër degë: Gjuhë shqipe - Letërsi, Histori - Gjeografi, Matematikë - Fizikë dhe Biologji - Kimi. Gjatë kësaj periudhe u përgatitën 3 169 mësues në të dy sistemet.

·      Institut i Lartë Pedagogjik me afat studimi 4 - vjeçar (1982 –1991). Përveç degëve ekzistuese hapet edhe dega e Ciklit të Ulët (që përgatit mësues për shkollën fillore). Gjatë kësaj periudhe u përgatiten 1 912 mësues në të dy sistemet.  Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 124,  datë 01. 04. 1989 ILP i Shkodrës merr emrin e atdhetarit dhe dijetarit të shquar Luigj Gurakuqi.

·         Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (1991 – sot). Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 124, datë 28. 05. 1991 Instituti i Lartë Pedagogjik ngrihet në rangun e universitetit. Nga ky vit e deri sot, gjatë këtyre pesëdhjetë e pesë viteve jetë, ky Universitet njohu shndërrime e zhvillime të gjithanshme. Gjatë kësaj periudhe u hapën Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti Ekonomik me tri degë (Administrim – Biznes - 1994, Financë – Kontabilitet – 2000, Marketing – Turizëm 2001), Fakulteti i Gjuhëve të huaja me katër degë (Anglistikë - 1994, Gjermanistikë - 1996, Italianistikë - 1998 dhe Frëngjisht - 2005), si dhe degët : Cikli Parashkollor (1996), Infermieri e përgjithshme (2001), Informatikë (2002), Psikologji (2004),  Punë sociale (2005),  Edukim Fizik dhe Sporte (2006), Gazetari dhe komunikim (2006), Infermieri (drejtimi Mami - 2007),  Infermieri (drejtimi Fizioterapi - 2007) dhe Pikturë e grafikë (2010), duke shkuar kështu në 25 numri i programeve të studimit në Universitetin e Shkodrës. Gjatë këtyre viteve janë diplomuar plot 16 754 studentë.

Pranë ILP Shkodër që nga viti 1969 ka funksionuar filiali i Universitetit të Tiranës. Në këtë filial janë diplomuar 585 studentë në degët : Veterinari, Ekonomik kontabël, Ekonomik plan, Inxhinieri elektrike, Inxhinieri mekanike dhe Inxhinieri ndërtimi.

Që nga viti 2003, institucionet e arsimit të lartë shqiptar (në këtë kuadër edhe Universiteti i Shkodrës) i janë nënshtruar një reforme të thellë me qëllim arritjen e objektivave të “Procesit të Bolonjës”. Sistemi universitar shqiptar tashmë është i organizuar në 3 cikle : cikli i parë, i cili përfundon me diplomën “Bachelor”; cikli i dytë, ku studenti në përfundim të tij merr diplomën “Master i Shkencave” ose “Master profesional”  dhe cikli i tretë, shkolla doktorale. 

Deri tani në ciklin e dytë të studimeve janë diplomuar 790 studentë gjithsej, ndër të cilët në “Master profesional” në fushë të mësuesisë janë diplomuar 706 studentë në të gjitha drejtimet dhe në “Master shkencor” 84 studentë.

Në jetën e tij 55 vjeçare Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka përgatitur 27 715 kuadro, të cilët shërbejnë në fusha të ndryshme të dijes e të shkencës, si dhe në organe qendrore drejtuese, duke dhënë kështu një kontribut të vyer jo vetëm në arsimin tonë kombëtar, por edhe në sektorë e fusha më rëndësi jetike për kombin.