Shtëpia

Dt.12.06.2015. Ceremoni e dhënies së titullit "Qytetar Nderi" i Shkodrës mjekut Fiqiret Bushati (pas vdekjes)

Biblioteka Shkencore e Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" nën kujdesin e rektorit prof. dr. Artan Haxhi, organizoi një ceremoni me rastin e dhënies së titullit "Qytetar Nderi" i Shkodrës mjekut Fiqiret Bushati (pas vdekjes).
Kjo veprimtari u zhvillua në sallën "Walter Hoeflechner" pranë Bibliotekës Shkencore Universitare, ditën e premte, më 12 qershor 2015, ora 18:00.
Në nderim të mjekut të përkushtuar dhe të palodhur, ra në sy një pjesëmarrje e gjerë e stafit akademik të universitetit, autoriteteve të pushtetit vendor, studentëve dhe qytetarëve. Për shumë vjet me radhë, doktor Fiqireti ka punuar me devotshmëri në Qendrën e Diagnostifikimit Mikrobiologjik “Wolfdieter Sixl” të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në shërbim të studentëve dhe të komunitetit, kurdoherë i gatshëm me humanizmin që e karakterizonte.
Në fillim të veprimtarisë u shfaq një dokumentar me momente nga jeta dhe vepra e doktor Fiqiret Bushatit. Duke marrë fjalën dr. Robert Andoni, mjek mikrobiolog, theksoi se humbjen e kolegut të tij e ka ndjerë thellë, megjithatë ai shprehu kënaqësinë që kujtimi i doktor Fiqiretit po përjetësohet në memorien e të gjithë qytetarëve të Shkodrës përmes këtij titulli. Prof. dr. Ylli Sarolli, mjek higjienist solli kujtimet e tij si mik, shok dhe koleg. Ai ndau emocionet e tij në këtë ceremoni mjaft domethënëse. Prof. dr. Dhimitër Dhora vlerësoi korrektesën dhe etikën e doktor Fiqiret Bushatit. “Tërë jeta e tij ka qenë shëndeti i njeriut dhe shëndeti i mjedisit”. Dr. Merzuk Hoxha përshkroi punën e palodhur të F. Bushatit, si dhe sjelljen e durimin e tij me pacientët. Mjekja Drita Gera duke kujtuar bashkëpunimin e gjatë e vlerësoi jo vetëm si profesionist, por edhe si misionar të humanizmit. “Dr. Fiqiret Bushati e shkroi vetë historinë e tij”, - u shpreh mjeku Tahir Sadiku. Prof. dr. Mahir Hoti, ish-rektor i USH-së e paraqiti figurën e mjekut të nderuar, si një figurë shumëplanëshe, ndërsa prof. dr. Irakli Beka u shpreh se mjeku dhe pedagogu Fiqiret Bushati do të kujtohet për profesionalizëm dhe humanizëm.
Titulli "Qytetar Nderi" i Shkodrës dhënë z. Fiqiret Bushati (pas vdekjes) u iniciua nga rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi dhe u akordua nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës. Ky titull iu dorëzua së bijës, pedagoges Nevila Bushati, e cila mes emocionesh të veçanta theksoi: “ Jam krenare që jam bija e doktor Fiqiret Bushati, një figure që sot u vlerësua kaq shumë nga ju të gjithë”

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).