Shtëpia

Dt. 30-31. 05. 2014. “Kërkimi dhe edukimi - sfidat drejt së ardhmes” ICRAE 2014, konferencë shkencore ndërkombëtare e organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit dhe Fakulteti i Shkencave Shoqërore.

Fakulteti i Shkencave të Edukimit dhe Fakulteti i Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizuan më 30-31 maj 2014 konferencën e dytë shkencore ndërkombëtare: “Kërkimi dhe edukimi – sfidat drejt së ardhmes” ICRAE 2014. (Research and education – challenges towards the future). Kjo konferencë ishte një ngjarje e rëndësishme për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, sepse në të u paraqit një punë e mirëfilltë shkencore e studiuesve dhe e kërkuesve të stafeve akademike të disa universiteteve të njohura shqiptare, ballkanike, evropiane, amerikane dhe më gjerë. Në këtë konferencë merrnin pjesë studiues nga 26 shtete të botës.
Temat kryesore të artikujve u përkisnin fushave studimore të ndryshme, si: albanalogji, art, arkitekturë, kulturë, arsim i lartë, TIK (teknologji e informimit dhe e komunikimit), media dhe komunikim, filologji, sporte, shkenca shoqërore, kërkim shkencor.
Ceremonia e hapjes së konferencës u zhvillua në sallën e konferencave pranë rektoratit.
E hapi ceremoninë moderatori i konferencës, Mr. Erard Çiurçia, kryetar i Degës së Zhvillimit dhe të Marrëdhënieve me Jashtë pranë USH-së.
Më pas përshëndeti Dekani i Fakultetit të Shkencave të Edukimit në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof.as.dr. Gëzim Dibra, i cili vlerësoi pjesëmarrjen e gjerë dhe cilësinë e kumtesave të paraqitura.
Në fjalën e tij, prof.dr. Artan Haxhi, Rektor i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u shpreh: “Qëllimi i organizimit të kësaj konference të madhe shkencore kam bindjen se i shërben më së miri promovimit të zhvillimit të procesit të edukimit e të kërkimit shkencor, çka përbën edhe sfidën themelore për arsimin e lartë në përgjithësi. Konferenca shërben në të njëjtën kohë edhe për të diskutuar së bashku rreth problemeve që shqetësojnë sot arsimin e lartë, rreth mundësive dhe domosdoshmërisë që ai t’i përshtatet sa më mirë kërkesave që shoqëria e sotme shtron para tij. Proceset reformuese të cilave arsimi i lartë shqiptar po u nënshtrohet, kërkojnë që universitetet të dalin nga akademizmi i mbyllur, e të kthehen në partnerë të dobishëm për shoqërinë, duke mbështetur në vazhdimësi kërkesat e saj për zhvillim. Ato kanë për detyrë t’i përshtasin politikat e tyre me strategjitë rajonale të zhvillimit, me ato kombëtare apo edhe më gjerë, në mënyrë që të përgatisin breza të aftë për sfidat që kemi përpara”.
Përshëndetën konferencën: Prof.dr. Salvator Bushati, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; prof. dr. Bálint Bachmann, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Teknologjisë të Informacionit në Universitetin Pécs, (Hungari); prof. dr. Robert McCloud, pedagog i shkencave kompjuterike në Sacret Heart University, Fairfield, (SHBA); prof. dr. Adriana Galvani nga Departamenti i Ekonomisë në Universitetin e Bolonjës (Itali).
Prof.as.dr. Violeta Vidacek e Universitetit të Zagrebit (Kroaci), referoi temën: “Collaboration between the University of Zagreb Faculty of Organization and Informatics Varazdin and University of Shkodra “Luigj Gurakuqi”.
“Approaches of Linguistic Anthropology in Albanology”, ishte kumtesa që referoi, prof.as.dr.Mimoza Priku, Dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore pranë USH-së.
Konferenca i vazhdoi punimet në disa seanca paralele.
Në sesionet e ICRAE 2014, ishin të përshira edhe simpoziumet e tri shkollave doktorale: albanologjisë, arkitekturës dhe edukimit / shkenca sociale.
Dita e shtunë iu dedikua konkluzioneve të konferencës ICRAE 2014, por në të njëjtën ditë u zhvilluan vizita në ambientet muzeale me vlera historike të qytetit tonë.
Duke klikuar linkun si dhe informacionet e mëposhtme, mund të njiheni më hollësisht me punimet e konferencës ICRAE 2014.

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).