Shtëpia

Dt. 21. 04. 2015. “Drini përtej dy kohëve”- veprimtari letrare kushtuar shkrimtarit Skënder Drini

Biblioteka Universitare në bashkëpunim me Departamentin e Letërsisë të Fakultetit të Shkencave Shoqërore organizuan në kuadër të “Javës së librit 2015” aktivitetin kushtuar shkrimtarit Skënder Drini. Kjo veprimtari letrare u zhvillua më 21 prill 2015, ora 11:00, në sallën “Walter Höflechner” të Bibliotekës Universitare. Merrnin pjesë: shkrimtarë, studiues, pedagogë dhe studentë.
Veprimtarinë e hapi znj. Alida Luka, drejtore e Bibliotekës Universitare, e cila falënderoi pjesëmarrësit për rëndësinë që i kushtuan këtij aktiviteti që po çel këtë javë që i kushtohet librit. Një tjetër falënderim folësja bëri për studiuesit dhe shkrimtarët e pranishëm, të cilët përmes referimeve të tyre “do të krijojnë përshtypjen sikur po e shfletojmë veprën e Skënder Drinit”. Më pas u ndoq një dokumentar me foto nga jeta dhe krijimtaria e Skënder Drinit. Punonjësja e Bibliotekës Shkencore, Arjeta Ferlushkaj prezantoi referuesit dhe studiuesit. Një vlerësim të veçantë për veprën e S. Drinit solli përmes referencës së saj dr. Elinda Dibra, përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë në USH. Studiuesi Moikom Zeqo, pasi falënderoi konceptuesit dhe organizatorët e kësaj veprimtarie, theksoi se Drini është një emër i spikatur në letërsinë shqipe. “Nuk mund të ketë letërsi kombëtare pa emra konkretë. Letërsia përfaqësohet nga emrat. Skënder Drini bëri një letërsi me dinjitet dhe me nivel estetik”, theksoi Zeqo. Fjalë përshëndetëse dhe vlerësime në këtë veprimtari sollën edhe studiuesit: Agim Vinca, Begzad Baliu, Sadetin Limani.
Prof. dr. Alfred Çapaliku kur doli vëllimi i parë me tregime i S. Drinit “Kumbimet e reja të pyjeve”, ishte i pari që shkroi një recension kritik në revistën “Nëntori” (periodik i kohës). Më pas ai bëri një sërë vështrimesh kritike mbi veprën e Drinit. Në këtë veprimtari Çapaliku e risolli për të pranishëm atë recension mbi “Kumbimet e reja të pyjeve”. Shkrimtari i mirënjohur shkodran Fadil Kraja referoi kumtesën: “Gjenerali i prozës shqiptare”. Botuesi i veprave të Drinit profesor Hasan Lekaj u ndal tek njohja dhe bashkëpunimi 60 vjeçar me autorin. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, Skënder Temali kumtoi: “Marrëdhëniet në bashkëkohësi me Skënder Drinin”. Drejtori i Bibliotekës “Marin Barleti”, Gjovalin Çuni paraqiti “Homazhet e fundit për Skënder Drinin nga biblioteka e qytetit”. Studiuesi dhe miku i ngushtë i shkrimtarit Zija Vukaj prezantoi temën: “Trashëgimtari shpirtëror i krijimtarisë së Skënder Drinit”. Elsa Mataj, studente e USH-së referoi: “Mbi romanin “Planeti i lodhur”, ndërsa gazetari Sead Cena solli për të pranishmit disa emocione rreth intervistës së fundit me shkrimtarin.
Studentët: Edër Boshnjaku, Erisad Lugjaj, Senad Tula, Blerim Bakçiu, Elsaid Lezaj, Bukurosh Dervishi, Besard Jacaj bënë një interpretim të tregimit të fundit të Drinit “Testamenti”.
Shkrimtari Skënder Drini u nda nga jeta pak kohë më parë. Njihej botërisht si romancier dhe tregimtar. Lindi në Voskopojë. Kreu shkollën e mesme në Shkodër dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Universitetin e Tiranës. Në fillim punoi në arsim; më pas shkrimtar në krijimtari të lirë, në shërbim diplomatik, drejtor televizioni. Në vitet e fundit iu përkushtua edhe veprimtarisë publicistike. Romani i tij i parë “Shembja e idhujve” (1975) solli risi në prozën bashkëkohore. Më vonë botoi shumë romane ku do të përmendim: “Midis dy kohëve”, “Vraje tradhtinë”, “Njerëzit dhe deti”, “Kirurgët”, “Eklipsi i hënës”, “Klas”, “Rruga e njeriut”, “Planeti i lodhur”, etj..
Subjektet e romaneve të Skënder Drinit përqendrohen në situata e ngjarje të periudhave të ndryshme historike; ato i karakterizon psikologjizmi, gjetjet e reja kompozicionale dhe stili i rrëfimit dialogjik. Ky shkrimtar ishte mjaft prodhimtar edhe në llojin e tregimit duke botuar shumë vëllime me tregime, si dhe dha ndihmesë të çmuar në letërsinë për fëmijë. Ka marrë çmimin e Republikës të shkallës së parë. (shih: Fjalori Enciklopedik, f. 530)

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).