Shtëpia

Dt. 19. 12. 2014. U organizua konferenca shkencore: “Mendje të ndritura të kulturës shqiptare: Anton Xanoni dhe Justin Rrota”.

Fakulteti i Shkencave Shoqërore, Instituti i Studimeve Albanologjike, me mbështetjen e Konsullatës Austriake të Nderit, organizuan më 19 dhjetor 2014 në sallën e Bibliotekës Shkencore dhe sallën “Jup Kastrati”, Konferencën shkencore me temë: “Mendje të ndritura të kulturës shqiptare: Anton Xanoni dhe Justin Rrota”.
Në fjalën e hapjes prof. dr. Fatbardha Hoxha, pasi bëri një paraqitje të tematikës së kësaj konference shkencore, përcolli një falënderim dhe një vlerësim për kumtuesit dhe pjesëmarrësit në këtë veprimtari të rëndësishme shkencore.
Duke përshëndetur konferencën, Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, prof. as. dr. Mimoza Priku, u shpreh: “Jemi mbledhur sot të kujtojmë dy figura të ndritura të kulturës shqiptare, Anton Xanonin dhe Justin Rrotën. Kjo konferencë shkencore e organizuar nga Instituti i Studimeve Albanologjike më mbështetjen e Konsullatës së Nderit të Austrisë është në vazhdën e mjaft aktiviteteve shkencore që ka organizuar universiteti dhe fakulteti ynë. Prandaj Shkodra vijon të mbesë një qendër e rëndësishme e kërkimit shkencor, një djep nga kanë dalë e ku janë rritur, edukuar dhe ku kanë kontribuar mjaft figura të ndritura të kombit shqiptar, dy prej të cilëve po përkujtojmë sot”.

Anton Xanoni (1862 – 1915). Shkrimtar dhe autor tekstesh shkollore. Lindi në Durrës, por që në fëmijëri u shpërngul në Shkodër, ku mori arsimin katolik. U shkollua më tej në institucionet fetare në Spanjë (Valencia), në Dalmaci (Kraljevicë), Itali (Kremonë), Poloni (Krakov), ku u shugurua prift jezuit (1892). U kthye në Shqipëri më 1894. Shërbeu si klerik e mësues i gjuhës shqipe në Kolegjën Saveriane. Ishte anëtar i shoqërisë “Agimi”. Bashkë më Ndre Mjedën përpiluan tekstin “Këndime për shkolla të para t’Shqipnisë” në 3 libra (1902-1906). Botoi tekstin “Gramatika shqyp që përdorohet n’ Seminarë e n’Mbësojtore t’ Sh’ Françesk Saverit n’ Shkodër” (1909), “Shkurtorja e historis së moçme” (1910), “Prisi në lamë të letratyrës” (1911), etj.. Shkroi dramën “Skënderbegu ose t’liruemit prej zgjedhës së turkut”, që u botua pas vdekjes (1917). Anton Xanoni ka shkruar vjersha lirike dhe himne në frymën e letërsisë së Rilindjes Kombëtare; është gjithashtu autor fabulash me temë nga jeta shqiptare. (Shih: Kastrati, Jup: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, vëllim i tretë, fq. 2933)
Justin Rrota (1889-1964). Filolog, gjuhëtar, klerik, Mësues i Popullit. Ndoqi studimet e larta teologjike në Austri. Në vitin 1911 u shugurua meshtar. Rreth 25 vjet punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe i latinishtes në gjimnazin “Illyricum” në Shkodër. Si bashkëpunëtor i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, u mor kryesisht me hartimin e veprës së vëllimshme “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore”, ku trajtohen fonetika, leksikologjia, morfologjia e sintaksa e gjuhës shqipe dhe një histori e shkurtër e albanologjisë; vepra u botua nga Akademia e Shkencave dhe Provinca Françeskane Shqiptare (Shkodër, 2006). Justin Rrota është marrë veçanërisht me gjurmimin dhe botimin kritik të teksteve të autorëve të vjetër, duke i transkiptuar dhe shoqëruar me komente. Ka botuar veprat e tekstet: “Monumenti ma i vjetri i gjuhës shqype – D. Gjon Buzuku (1555) (Shkodër, 1930, 1938); “Shkrimtari ma i vjetri i Italo - shqyptarvet – D. Lukë Matranga (1592) (Shkodër, 1930, 1939); “Analyzimi i rasavet t’ emnit e zhvillimi historik i tynve” (Shkodër, 1931); “Për historin e alfabetit shqyp” (1936); “Syntaksa e gjuhës shqype për shkollat e mesme” (1942, 1944). Nga fusha e historisë së letërsisë botoi “Letratyra shqype” (1925, botim i plotësuar 1934). Si letrar ka botuar një përmbledhje me tregime, novela, kujtime “Rreth votrës” (1945). Justin Rrota solli në Shqipëri për herë të parë, më 1929, tri kopje fotografike të “Mesharit” të Gj. Buzukut dhe u mor vazhdimisht me studimin e gjuhës së kësaj vepre, duke botuar disa artikuj studimorë, ku ka trajtuar edhe rrethanat historike-kulturore të kohës kur u botua libri i parë shqip. (Shih: Osmani, Tomor: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, vëllim i tretë, fq. 2285-2286)

Konferenca i vijoi punimet sipas programit të mëposhtëm:

10.00 Seanca I (Salla e bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”)
Drejtuan seancën:
Fatbardha Hoxha, Kolec Topalli, Ymer Çiraku, Tomor Osmani

1. Tomor Osmani (Shkodër) – “Justin Rrota gjuhëtar i shquar i shekullit të kaluar”.
2. Fatbardha Hoxha (Shkodër) – “Justin Rrota, ndër të parët studiues të letërsisë shqipe”.
3. Kolec Topalli (Tiranë) – “Kontributi i Justin Rrotës për etimologjinë e shqipes”.
4. Gjovalin Shkurtaj (Tiranë) – “Rrota e Xanoni – dy prijetarë ndjellamirë të shqipes e shqiptarisë”.
5. Mimoza Priku, Tefë Topalli (Shkodër) – “Çaste nga jeta, formimi arsimor e kulturor, si dhe kontributi pedagogjik i Anton Xanonit”.
6. Erarba Çiraku, Ymer Çiraku (Tiranë) – “Koncepte historishkruese tek Letratyra shqype e Justin Rrotës”.
7. Nikë Ukgjini (Shkodër) – “Vëzhgime për letërsinë biblike te Xanoni”.
8. Evalda Paci (Shkodër) – “Justin Rrota, gjurmues i teksteve të vjetra shqipe”.
9. Alfred Çapaliku (Shkodër) – “Dy poezi të Fishtës për Xanonin”.

12.00 Seanca II (Salla e Bibliotekës së Universitetit)
Drejtuan seancën:
Eleni Karamitri, Mimoza Gjokutaj, Elindë Dibra, Alfred Çapaliku

1. Eleni Karamitri (Shkodër) – “Justin Rrota Letratyra Shqype – një tekst historiko-letrar e didaktik”.
2. Mimoza Gjokutaj (Tiranë) – “Justin Rrota për alfabetin e shqipes”.
3. Elindë Dibra (Shkodër) – “Krijimtaria letrare e Xanonit dhe mjeshtëria e tij përkthimore”.
4. Lindita Kazazi, Njazi Kazazi (Shkodër) – “Anton Xanoni dhe Kolegji Saverian”.
5. Anila Kananaj (Tiranë) – “Mbi kriteret e klasifikimit të gjymtyrëve të fjalisë në sintaksën e Justin Rrotës”.
6. Bora Logu (Shkodër) – “Fjali e thjeshtë e përbërë në tekstin “Sintaksi i shqipes” i Justin Rrotës”.
7. Arben Prendi (Shkodër) – “Përmbledhje me proza “rreth votrës” e Justin Rrotës ndërmjet tekstit origjinal letrar, përshtatjes, tekstit didaktik dhe publicistik”.
8. Ermira Alia, Vinçens Marku (Shkodër) – “Reflektime të sotme mbi disa çështje didaktike të “Prisi n’lamë t’Letratyrës”.
9. Juliana Kume (Tiranë) – “Çështje leksikore të gjuhës shqipe në gramatikën e Justin Rrotës”.

13.30 Seanca III (Salla e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi)
Drejtuan seancën:
Gjovalin Shkurtaj, Mimoza Priku, Tefë Topalli, Rrezarta Draçini

1. Rrezarta Draçini (Shkodër) – “Elemente të gjuhësisë së përgjithshme në veprën e Justin Rrotës”.
2. Vjollca Osja (Shkodër) – “Dy variantet e botuara të Letratyra Shqype”.
3. Flora Koleci (Tiranë) – “Roli i foljes në organizimin e fjalisë sipas këndvështrimit të Justin Rrotës”.
4. Rozana Rushiti, Adriana Dervishaj (Tiranë) – “Status i formave të pashtjelluara te sintaksa e Justin Rrotës, krahasuar me trajtimet e sotme”.
5. Anisa Kosteri, Zamira Shkreli (Shkodër) – “Prirje mbidialektore në prozën letrare të Justin Rrotës”.
6. Aida Uruçi (Shkodër) – “Ndërtime e kuptime foljore në veprën “Rreth votrës” të Justin Rrotës”.
7. Merita Hysa (Shkodër) – “Konceptime sociolinguistike në shkrimet e Atë Justin Rrotës”.
8. Erzen Koperaj (Shkodër) – “Mendimi i Justin Rrotës për historinë e gjuhës shqipe dhe atë indoevropiane”.
9. Rrezearta Murati (Shkodër) – “Çështje të politikave gjuhësore të trajtuara tek Justin Rrota”.
10. Irida Hoti (Shkodër) – “Anton Xanoni për mësimin e gjuhës shqipe”.
11. Monika Hasani (Tiranë) – “Rreth pjesëzës së hershme toske “tuke” si pjesë e formës analitike të tipit “duke punuar”.

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).