Shtëpia

Dt. 18. 11. 2014. Ambasada e Francës, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”dhe Aleanca Franceze në Shkodër organizojnë një takim promovues për dy libra historikë.

Ambasada e Francës ka zgjedhur të mbështesë përkthimin dhe botimin e dy veprave, të cilat kontribuojnë në dokumentimin e marrëdhënieve franko-shqiptare gjatë Luftën së Parë Botërore.
Ditën e martë, më 18 nëntor, ora 11:00, tek salla e konferencave pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua një takim promovues për dy libra historikë. “Përshëndetje nga Shqipëria” i autorit Luan Rama dhe “ Një oficer francez në Ballkan”, i autorit Domenique Danguy des Déserts. Kjo veprimtari organizohej nga Ambasada e Francës në Shqipëri, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Aleanca Franceze në Shkodër.
Takimin e hapi përfaqësuesi kulturor i Ambasadës së Francës, z. Besim Petrela, i cili i bëri një prezantim aktivitetit.
Deputetja e Shkodrës, prof. as. dr. Mimoza Hafizi foli në emër të grupit parlamentar të miqësisë Francë-Shqipëri. Ndër të tjera ajo u shpreh se ne si grup besojmë që miqësia mund të bartet edhe në politikë e diplomaci. “Këto libra prekin çështje që lidhen me Luftën e Parë Botërore. Si grup miqësie jemi angazhuar në këtë promovim dhe në një seri aktivitetesh të tjera, ndaj e kisha me shumë dëshirë të vija tek kjo veprimtari në Universitetin e Shkodrës.”
Libri i parë që u promovua ishte “Përshëndetje nga Shqipëria” i autorit Luan Rama. Duke marrë fjalën autori tregoi se për të shkruar këtë libër ishte ngacmuar nga letra e një ushtari francez, dërguar familjes së tij nga Shqipëria, gjatë Luftës së Parë Botërore. “Kjo letër më dha një shtysë që të shkruaja një libër për Shqipërinë, në optikën e një ushtari francez”. Folësi e paraqiti librin e tij, si një homazh për ushtarët francezë të rënë në frontin shqiptar. Nëpërmjet ditarëve të luftës dhe letrave të shkruara nga ushtarët francezë në frontin shqiptar (si dhe artikujve të korrespondentëve të luftës në Shqipëri) , lexuesi zbulon se çfarë ka ndodhur në këtë front të Ushtrisë së Lindjes, betejat e francezëve të ndihmuar nga xhandarmëria shqiptare dhe solidaritetin e ushtarëve me popullin.
Domenique Danguy des Déserts, autorit i librit “ Një oficer francez në Ballkan”, duke marrë fjalën në këtë promovim shpjegoi për të pranishmit se në këtë libër janë kujtimet e gjyshit të tij. Koloneli André Ordion, i cili mbërrin në Ballkan në nëntor 1917 dhe qëndron deri në tetor të vitit 1925. Në fillim komandant i trupave franceze dhe shqiptare në frontin në jug të liqenit të Ohrit, në shtator 1918 ai bëhet komandant i ushtrisë së Manastirit. Pas armëpushimit është administrator i Shqipërisë pranë Shkupit. Duke nisur nga prilli i vitit 1923 ai përfaqëson Francën në Komisionin e caktimit të kufijve të Shqipërisë. Kolonel Ordioni ka lënë rrëfimin e misioneve të tij me vrojtime mbi natyrën, jetën, historinë e Shqipërisë dhe të Maqedonisë. Me një penë të saktë dhe të figurshme, ai tregon me kthejlltësi, humor e poezi atë që sheh, që jeton, që ndjen. Personazhi kryesor i librit ishte i vëmendshëm ndaj fatit të maqedonasve dhe shqetësimi i tij i vazhdueshëm ishte të ndihmonte ata që ai i quante “miqtë e mi shqiptarë”.
Më pas u shfaq një dokumentar historik për Luftën e Parë Botërore.

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).