Shtëpia

Dt. 02.10.2013. Promovohet libri “Leksikon i gjuhëtarëve të shquar shqiptarë” i autorëve prof. dr. Artan Haxhi dhe prof. dr. Tefë Topalli.

Instituti i Studimeve Albanologjike pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me Institutin e Gjuhës dhe të Letërsisë Malazeze në Podgoricë, promovuan më datë 2 tetor 2013, në sallën e konferencave të Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, botimin e përbashkët të librit “Leksikon i gjuhëtarëve të shquar shqiptarë” të autorëve prof. dr. Artan Haxhi dhe prof. dr. Tefë Topalli.
Në fjalën e tij të hapjes prof. dr. Tomor Osmani theksoi: “Është kënaqësi që më jepet rasti të hap këtë takim ku do të promovojmë përmbledhjen “Leksikon i gjuhëtarëve të shquar shqiptarë” i autorëve, prof. dr. Artan Haxhi dhe prof. dr. Tefë Topalli. Kjo vepër është një bashkëpunim në mes dy institucioneve shkencore të Universitetit të Shkodrës dhe atij të Malit të Zi; Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë Malazeze – Podgoricë dhe Instituti i Studimeve Albanologjike – Shkodër. Është e para herë që në fushën e gjuhës shqipe realizohet një botim i tillë në mes dy qendrave tona shkencore, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën malazeze. Kjo nismë duhet përshëndetur dhe përgëzuar. Ne urojmë që ky bashkëpunim të mos ndërpritet, por të shërbejë si nxitje për të realizuar edhe në të ardhmen botime të tjera. Promovimi në Shkodër dhe Podgoricë i kësaj vepre do të shërbejë edhe për njohjen e opinionit shkencor malazez për zhvillimet gjuhësore në vendin tonë, pasi aty janë pasqyruar figurat më eminente të gjuhësisë shqiptare, autorë veprash dhe studime të mirëfillta shkencore.”
Në këtë takim përshëndeti edhe dr. Adnan Çirgiq, Drejtor i Institutit të Gjuhës dhe të Letërsisë Malazeze, Podgoricë, i cili theksoi se institucioni ynë është themeluar vetëm para 3 vjetësh. “Brenda kësaj periudhe ne kemi botuar rreth 40 libra nga fusha të ndryshme. Veprimtaria jonë është kryesisht në gjuhën malazeze dhe sllavistikë. Ky libër është një fillim i mirë për të dy institutet tona. Që në fillim na pëlqeu ideja e këtij botimi. Personalisht jam befasuar nga niveli juaj i filologjisë dhe mendoj se ky libër i bën nder jo vetëm autorëve, redaktorëve dhe botuesve, por të gjithë filologjisë shqiptare”.
Në kumtesën e saj Dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, prof. as. dr. Mimoza Priku u shpreh se autorët e këtij libri kanë portretizuar me kujdes secilin prej gjuhëtarëve, duke u ndalur më shumë tek fusha më specifike, aty ku këto studiues lanë gjurmë.
Më pas referuan prof. as. dr. Rrezarta Draçini, dr. Orjeta Baja dhe doktorant Erzen Koperaj.
Në parathënien e librit autorët shprehen: “Leksikoni ka dy pjesë: në të parën janë renditur 29 gjuhëtarë, më të shquarit dhe me kontributin më të madh shkencor, duke filluar nga E. Çabej deri tek Sh. Rrokaj, me të cilin mbyllet ky brez; grupi i dytë është menduar të jetë i përbërë nga gramatikanët dhe nga gjuhëtarët, kryesisht lëvrues të sintaksës shqipe, që nga A. Xhuvani deri tek më i riu, gjuhëtari kosovar T. Kelmendi. Bazë për zgjedhjen dhe për jetëshkrimin e tyre ka qenë Fjalori Enciklopedik Shqiptar – FESH (botimi i fundit 2008-2009, i cili përmban seleksionim akademik); kështu që për secilin prej tyre janë dhënë studimet më të rëndësishme, më të shquara dhe më të thelluara, interpretime të reja dhe monografitë për çështje të ndryshme, të hartuara për herë të parë, të cilat i kanë dhënë një hov të madh zhvillimin të albanologjisë. Çdo gjuhëtar është prezantuar kryesisht me 3-4 faqe, kurse më të shquarit midis tyre (kryesisht akademikë të kësaj fushe), kanë fituar më shumë hapësirë.
Veprimtaria promovuese u mbyll me falënderimet e rektorit prof. dr. Artan Haxhi, i cili si bashkautor i librit shprehu mirënjohjen për kolegun prof. dr. Tefë Topalli, për dr. Adnan Çirgiq, Drejtor i Institutit të Gjuhës dhe të Letërsisë Malazeze, që mundësoi këtë botim në gjuhën malazeze, si dhe për përkthyesin Danilo Brajeviç. “Ky libër dëshmoi qartë se dy popujt tanë kanë mundësi të mira bashkëpunimi edhe në fushën e gjuhësisë”, përfundoi rektori Haxhi.