Shtëpia

Dt. 22. 10. 2013. Fakulteti Ekonomik filloi veprimtaritë për 20-vjetorin e krijimit të tij me workshopin: “Sfidat e zhvillimit rajonal 2”.

Fakultetit Ekonomik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, zhvillon këtë javë një sërë veprimtarish në kuadër të 20-vjetorit të krijimit të tij. Sot paradite, tek salla e konferencave A3 pranë Rektoratit, u organizua një workshop me temë: “Sfidat e zhvillimit rajonal 2”, ku u prezantuan temat më të mira të diplomave të studentëve të Fakultetit Ekonomik.

Në fjalën e saj pedagogia e departamentit të Turizmit, Romina Dhora theksoi: “Synimi i këtij workshopi është që të promovojë programet e masterave shkencorë, të hapur në Fakultetin Ekonomik, ku sivjet kanë përfunduar studimet dhe janë diplomuar studentët e brezit të parë në degën e Administrim-Biznesit dhe Financë-Kontabilitet. Njëkohësisht, workshopi i sotëm synon të zgjerojë më tej bashkëpunimin ndërmjet Fakultetit Ekonomik dhe bizneseve që veprojnë në rajonin e Shkodrës”.

Veprimtarinë e përshëndeti zv.rektori prof. as. dr. Fatmir Vadahi, i cili ndër të tjera u shpreh: “Është ditë e veçantë për të gjithë ne, sepse sot është përvjetori i krijimit të Fakultetit Ekonomik, një fakultet që është rritur dhe forcuar në të gjitha aspektet, si në aspektin sasior dhe në atë cilësor, ku diplomantët e këtij fakulteti i gjen kudo anekënd vendit, në sektorin shtetëror dhe atë privat. Disa janë biznesmenë të suksesshëm, disa të tjerë punojnë nëpër banka, të tjerë drejtojnë sektorë të ndryshëm ekonomikë, etj. Prandaj në këtë ditë, që do të thotë shumë për të gjithë, kënaqësia është e madhe edhe për mua që të përshëndes në emër të Rektoratit të Universitetit të Shkodrës”.

Në fjalën e saj dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Arjeta Troshani, vuri në dukje se ky është eventi i parë i hapjes të një sërë aktivitetesh që kremtojnë jubileun e 20-vjetorit të krijimit të këtij Fakulteti. Përmes këtij workshopi do të promovohen studentët e masterave shkencorë të hapur së fundmi. “Misioni ynë është të vendosim në qendër të vëmendjes studentët, të cilët e ndërtojnë dhe e zhvillojnë institucionin akademik. Ndërkohë një tjetër detyrë e jona si Fakultet, është që përmes studentëve tanë, të ndihmojmë në zhvillimin ekonomik të rajonit”, përfundoi dekania Troshani.

Falënderime dhe mirënjohje për studentët dhe temat e tyre sollën edhe përgjegjëset e departamenteve të Fakultetit Ekonomik: Prof. as. dr. Brilanda Bushati (drejtore e departamentit të Turizmit), dr. Blerta Dragusha (drejtore e departamentit të Financë-Kontabilitetit), dr. Albana Boriçi (drejtore e departamentit të Administrim-Biznesit).

Dhjetë punimet më të mira të studentëve të katër masterave shkencorë të hapur pranë Fakultetit Ekonomik e të diplomuar gjatë vitit akademik 2012-2013, u vlerësuan nga juria në përbërje të së cilës ishin: 1. Prof. ass. Mirjeta Beqiri 2. Z. Artur Luka, Drejtor i Tirana Bank, Shkodër 3. Z.Arben Haveri, Drejtor i Societe General, Shkodër 4. Z. Ndriçim Ciroka, Drejtor i Albtelecom, Shkodër 5. Z. Elvis Çaushi, Drejtor i ProCredit Bank, Shkodër .

Temat e prezantuara në workshopin “Sfidat e zhvillimit rajonal 2”, ishin si më poshtë:

Hyrja e tregtisë elektronike në Shqipëri (Sfidat dhe oportunitetet) Punoi: Arven Ramadani, Udhëhoqi: Dr. Albana Boriçi (Begani)

Remitancat në Shqipëri dhe faktorët përcaktues Punoi: Julinda Bala, Udhëhoqi: Dr. Ardita Boriçi

Ndikimi i kredisë në fitimin e njësive ekonomike, rasti i Shqipërisë Punoi: Irsida Kopliku, Udhëhoqi: Albana Kastrati, MF

Letra e kredisë, një mjet efektiv në tregtinë ndërkombëtare Punoi: Arjeta Grudaj, Udhëhoqi: Dr. Ardita Boriçi (Begani)

“Aleancat Strategjike” me bizneset ndërkombëtare, një zgjidhje e mirë për zhvillimin e bizneseve në Shqipëri Punoi: Edlira Vizi, Udhëhoqi: Dr. Ardita Boriçi

Planifikimi i destinacioneve turistike Punoi: Jasmina Pataloku, Udhëhoqi: Alkida Hasa, MMK

Struktura e kapitalit në biznesin e madh Punoi: Florinda Guri, Udhëhoqi: Dr. Blerta Dragusha

A janë shqiptarët të gatshëm për e-banking? Sfidat dhe përparësitë e këtij shërbimi në vendin tonë Punoi: Senada Shterbela, Udhëhoqi: Peter Saraçi, Msc

Zhvillimi i turizmit dentar në Shkodër: Mundësi reale apo mision i pamundur Punoi: Blerim Ymeri, Udhëhoqi: Mersida Bala PhD (c)

Rëndësia e Menaxhimit të Kapitalit Punues dhe efektet e tij në përfitueshmërinë e kompanisë Punoi: Ajsona Hebovija, Udhëhoqi: Prof. as.dr. Fatbardha Molla.

Tri temat më të mira u vlerësuan me çmime dhe me shpërblime përkatëse të sponsorizuara nga ProCredit Bank. Mbështetës të këtij aktiviteti ishin kompania Albtelecom dhe Eagle Mobile.