Shtëpia

Dt.26.04.2014. U organizua veprimtaria “Mentor Quku dhe Mjedologjia”

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”, organizuan ditën e shtunë pranë Bibliotekës Universitare veprimtarinë: “Mentor Quku dhe Mjedologjia”. Në këtë aktivitet u promovua revista “Mjedologji”, e cila në numrin e saj të parë ka përmbledhjen me aktet e dy konferencave shkencore kushtuar Ndre Mjedës. Përmes kësaj përmbledhjeje vijnë punime të spikatura të studiuesve: Tomor Osmani, Kolec Topalli, Mentor Quku, Alfred Çapaliku, Shaban Sinani, Artan Haxhi, Fatbardha Fishta, Nik Ukgjini, Zeqirja Neziri, etj.

Në parafjalën e përmbledhjes studimore, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Ardian Marashi shkruan: “Figura e Ndre Mjedës është nga më tërheqëset në mbarë historinë e letërsisë shqiptare. Mjeda përherë ka zgjuar dhe vazhdon të zgjojë interesimin e përbashkët të studiuesve dhe të lexuesve. Qoftë autori e qoftë vepra që ai na la trashëgim, përbëjnë një dukuri, e cila sot shënohet si ndër më të çmueshmet e kulturës letrare moderne mbarëshqiptare”.

Studiuesit Nikë Ukgjini dhe Mentor Quku, në parathënien e revistës theksojnë: “Me “Mjedologji – 1”, nis rrugën një tribunë e rëndësishme e studimeve mbi jetën dhe veprën e njërës prej figurave kryesore të Rilindjes Kombëtare. Mjeda është një nga personalitetet më të lexuara, më të studiuara dhe më të debatuara në historinë e gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare”.

Në kuadër të kësaj veprimtarie, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi, vlerësoi kontributin e veçantë të studiuesit Mentor Quku. Ndër të tjera ai u shpreh se studimi voluminoz dhe shterrues i këtij autori për Ndre Mjedën, është mjaft i vyer për mbarë akademinë shqiptare. “Vepra e Mentor Qukut, përbën një nga shtyllat e burimeve bibliografike për Ndre Mjedën”. Me këtë rast rektori e nderoi studiuesin Mentor Quku me titullin “Profesor nderi” i akorduar nga Senati i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me motivacionin: “Për kontribute të veçanta në studimet mjedologjike dhe si nisjator i veprimtarisë shkencore disavjeçare “Shkodra në shekuj”, realizuar në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës”.

Mes emocioneve e bija e studiuesit, Valbona Quku, falënderoi rektorin Haxhi për këtë vlerësim, më pas ajo lexoi për të pranishmit një mesazh të studiuesit Quku, në të cilin ai kërkonte ndjesë për mospjesëmarrjen, të cilën do e justifikojë më botimin së shpejti të dy vëllimeve: “Mjeda-poezia” dhe “Mjeda-proza”.

Në këtë aktivitet përshëndetën prof. dr. Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Zv.Ministri i Kulturës, z. Zef Çuni dhe prof. as. dr. Mimoza Priku, Dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore.

Në fjalën e tij prof. dr. Ardian Marashi ndër të tjera theksoi: “Aktiviteti i sotëm është një shembull që tregon sesi institucionet dinë të vlerësojnë. Kjo është një ngjarje e rëndësishme, sepse çmohet puna e heshtur e studiuesit Mentor Quku. Rezultati tregon se ç’mund të bëjë qoftë edhe një njeri i vetëm. Falënderoj Universitetitn e Shkodrës, që diti ta nderojë Mentor Qukun.”

Zv. Ministri i Kulturës, Zef Çuni u shpreh i lumtur që merr pjesë në të tilla veprimtari, që vetëm Shkodra di të organizojë. Ai i uroi studiuesit jetë të gjatë, për vazhdimin e punës studimore.

Më tej vijuan kumtesat:

Prof. dr. Fatbardha Hoxha: Profili i një studiuesi dhe vepra e tij.

Prof. as. dr. Rrezarta Draçini, prof. Tefë Topalli: Përmbledhja “Mjedologjia dhe gjuha”.

Dr. Elindë Dibra (Ramadani): Studimet letrare dhe Mjedologjia.

Në mënyrë mjaft origjinale brenda ligjërimit “Përmendorja e Mjedës”, prof. dr. Alfred Çapaliku kishte përfshirë vargjet:

Po ngjitej i bronztë, Kuklit të vet,

I ëmbli poet

E krejt alfabeti shqip si muzikë,

I bëhej metrikë

E “Andrra e jetës”, tokë e qiell,

Prarohej me diell

E tundte për ne kapelën mbi ballë,

Ndre Mjeda i gjallë.

Aktiviteti u shoqërua me poezitë e Mjedës të interpretuara nga Merita Smaja, aktore e teatrit “Migjeni”. Në mbyllje u shfaq një dokumentar për jetën dhe veprën e Mentor Qukut.

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).