Shtëpia

Dt. 15-16 nëntor 2013 u zhvillua Konferenca e Dytë Shkencore Ndërkombëtare: “Kërkimi dhe edukimi në shkencat e natyrës” (2nd International Conference “Research and Education in Natural Sciences”).

Fakulteti i Shkencave të Natyrës pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Balkan Environmental Association (BENA), organizuan më 15-16 nëntor 2013, Konferencën e Dytë Shkencore Ndërkombëtare: “Kërkimi dhe edukimi në shkencat e natyrës” (2nd International Conference “Research and Education in Natural Sciences”).

Seanca e hapjes u mbajt në Auditorin 3 pranë Rektoratit. Prof. as. dr. Adem Bekteshi, Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, u përcolli mirëseardhjen pjesëmarrësve në këtë konferencë të dytë shkencore ndërkombëtare, të organizuar nga ky fakultet. Folësi bëri një vlerësim për kontributin shkencor të kumtuesve. “Përveç kërkuesve me përvojë, në këtë konferencë marrin pjesë edhe një numër i madh referuesish të rinj, që janë në proces të studimeve doktorale, të cilëve u uroj në veçanti, suksese në rrugën e kërkimit shkencor”.

Me këtë rast përshendeti edhe Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof.dr. Artan Haxhi, i cili ndër të tjera theksoi: “Konferenca e Dytë Shkencore Ndërkombëtare: “Kërkimi dhe edukimi në shkencat e natyrës”, paraqet arritjet e fundit të kërkuesve në shkencat e natyrës. Pjesëmarrja e gjerë nga universitetet shqiptare dhe ato të vendeve të Ballkanit (Rumania, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Maqedonia dhe Greqia), e bëjnë këtë konferencë një kuvend të madh të kërkuesve dhe të mësimdhënësve të shkencave të natyrës”. Rektori vlerësoi tematikën dhe kumtesat e kësaj konference edhe për faktin se ato sjellin ide dhe këndvështrime të reja. “Konferencën e vlerësoj edhe si një mundësi e mirë që u jepet studiuesve dhe specialistëve jo vetëm për të komunikuar apo debatuar me njëri-tjetrin, por edhe për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin shkencor. Ndaj gjej rastin t’ju drejtoj të gjithëve me shumë mirënjohje një falënderim të sinqertë për pjesëmarrjen, duke shpresuar dhe besuar se punimet dhe opinionet tuaja do t’i vlejnë qëllimit fisnik të kësaj veprimtarie”.

Një përshëndetje erdhi edhe dr. Albano Zhapaj, shefi i kurrikulave të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. “Së bashku me kënaqësinë e madhe të të qenit pjesë e këtij eventi, dëshiroj t’ju përcjell përshëndetjet e përzemërta të Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla”. Më tej ai theksoi se Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim të ngushtë me universitetet tona, bëjnë përpjekje të vazhdueshme drejt standardeve evropiane të arsimit dhe kërkimit shkencor, duke synuar përmirësimin e legjislacionit për arsimin e lartë, në mënyrë që të krijohen kushte të mëtejshme për zhvillimin e universiteteve dhe zgjerimin e autonomisë së tyre.

Për të pranishmit u lexua një përshëndetje edhe nga Rektori i Universitetit të Janinës, Triantafyllos A.D.Albanis, i cili shprehu konsideratën për konferencën që po promovon studiues të rinj.

Prof. dr. Fokion Vosniakos dhe prof. dr. Petrit Bare, u nderuan me titullin “Profesor nderi”, akorduar nga Senati i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Në seancën plenare u referuan këto kumtesa:

Investigation of natural radioactivity concentration in building materials and the impact to human health. F. Vosniakos, K. Zavlaris, T. Papaliagas, K. Vosniakos, I. Leontaridou.

On the stability and resilience of the Lake of Shkodra. Dh. Dhora.

Multi-criteria decision aiding for natural resources management. A.Scarelli.

Sesionet kryesore të kësaj konference trajtuan tema që kishin të bënin me kërkimin dhe mësimdhënien e matematikës, informatikës, kimisë, biologjisë; problemet e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës; menaxhimin e një mjedisi të qëndrueshëm; problemet e shëndetit, etj.

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).