Shtëpia

Dt. 06-08.10.2014. Workshop ndërkombëtar mbi LHC-në, astrofizikën, fizikën mjekësore dhe mjedisore.

Më datë 06 tetor 2014, ora 09:00, filloi në Sallën e Konferencave pranë Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” një workshop ndërkombëtar mbi LHC-në, astrofizikën, fizikën mjekësore dhe mjedisore. Kjo veprimtari shkencore në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” zhvillohet nga data 6-8 tetor 2014.
Workshopi është fryt i bashkëpunimit të Universitetit tonë me Universitetin e Tiranës, me CERN-in (Organizata Evropiane për Kërkimet Bërthamore), komunitetin francez dhe italian HEP (CNRS-IN2P3, CEA-IRFU, INFN-Bari), Ambasadën Franceze dhe Italiane në Shqipëri, me komunitetin e astrofikës në Shqipëri, si dhe Shoqatën Mjedisore të Ballkanit (BENA)
Në seancën përshëndetëse të këtij workshopi bëri një prezantim të kësaj veprimtarie, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. as. dr. Adem Bekteshi.
Duke marrë fjalën Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi, u shpreh: “Organizimi i këtij workshopi i shërben më së miri promovimit dhe zhvillimit të procesit të kërkimit shkencor, çka përbën edhe sfidën themelore për arsimin e lartë në përgjithësi, e në këtë kuadër edhe për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Më tej rektori bëri një falënderim të veçantë për komitetin organizativ, për komitetin shkencor, për universitetet dhe organizatat partnere për kontributin e tyre në fushën e shkencës.
Një përshëndetje tjetër erdhi nga presidenti i Shoqatës Mjedisore të Ballkanit (BENA), prof. Fokion Vosniakos.
Prof. dr. Mimoza Hafizi, e vijoi këtë seancë me kumtesën: “Shkenca dhe edukimi në Shqipëri”.
Prof. Emmanuel Tsesmelis, bëri një prezantim të Organizatës Evropiane për Kërkimet Bërthamore (CERN). Dr. Tadeusz Kurtyka, kumtoi: “CERN, sistemi i përshpejtimit dhe zhvillimi në të ardhmen”. Dy folësit e fundit shpjeguan me detaje në prezantimet e tyre eksperimentin e zhvilluar në CERN “The Large Hadron Collider”, për të cilin është folur në shtypin e mbarë botës për një kohë të gjatë. Ky eksperiment tenton të shpjegojë praktikisht origjinën e masës së parashikuar nga Higgs boson.
Një përshëndetje të veçantë në këtë veprimtari shkencore bëri edhe znj. Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit. Brenda këtij eventi shkencor një ngjarje e rëndësishme ishte edhe ceremonia e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Organizatës Evropiane për Kërkimet Bërthamore (CERN) dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Workshopi zhvillohet vetëm pak kohë pasi komunitetet LHC bënë zbulimet e rëndësishme të bosoneve të Higgs. Programi është gjerësisht i hapur dhe përfshin sesione mbi fizikën e HEP (teori dhe rezultatet eksperimentale) dhe Astrofizikën. Një vend të veçantë në këtë workshop zë fizika mjekësore dhe ajo e mjedisit. Organizatorët vendosën që të ketë seanca të zgjeruara mbi teknikat moderne për trajtimin e kancerit. Gjithashtu do t’i jepet vend fizikës së mjedisit duke theksuar zhvillimet e saj në Shqipëri.
Formati i workshopit janë seancat plenare, ku të ftuarit personalitete të fushave që mbulon workshopi, referojnë për zbulimet më të fundit. Në këtë kuadër organizohet edhe një seancë posterash, ku studiues kryesisht të rinj dhe doktorantë paraqesin rezultatet e kërkimeve të tyre.

Kualifikimi i stafit akademik të USH

Profesorë 10%
 
Profesorë i asociuar 22%
 
Me gradë Dr. dhe/ose me titull docent 39%
 
Me gradë Asistent lektor 29%
 
 

Studentët

11988 studentët me kohë të plotë.
 
2153 studentët me kohë të pjesshme
 
1885 studentët në cikël të dytë
 
12 Sudentë në Ciklin e III (Doktoratura).